Ndërlidhjet

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që sivjet t’i zgjedhë organet e reja partiake, përfshirë edhe kryetarin, Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm. Zyrtarë të saj besojnë se zgjedhjet do të kalojnë pa thyerje, siç ka ndodhur në Kuvendin e fundit, kurse mbetet diskutabile nëse Fatmir Sejdiu do të kandidojë sërish për kryetar të partisë, për shkak të postit të tij të presidentit të Kosovës.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës besojnë se kjo parti politike do të zhvillojë proces të rregullt zgjedhor brendapartiak pa ndonjë krizë, siç ka ndodhur në Kuvendin e saj të fundit zgjedhor.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se në LDK nuk do të krijohen fraksione politike dhe beson në një proces të suksesshëm zgjedhor.

Ismet Beqiri

“Procesi i tashëm zgjedhor në asnjë mënyrë nuk do të ketë as afërsisht ndonjë problem të natyrës çfarë ka qenë më herët. Nuk e besoj që do të ketë më dikush fuqi që të bëjë fraksione në LDK”,
thotë Beqiri.

Që nga shpallja e zgjedhjeve në LDK, ishte Bujar Bukoshi, aktualisht ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, që shpalli kandidaturën e tij për kryetar.

Ndërsa, ende nuk është i qartë mendimi i Gjykatës Kushtetuese nëse do t’i lejohet apo jo kandidatura për kryetar të LDK-së edhe presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiut, mediat dhe analistët kanë parashikuar kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa si një nga kandidatët seriozë që do ta sfidonte Sejdiun.

Por, Mustafa thotë se ai e përkrahë presidentin Sejdiu dhe se për kreun e LDK-së do të garonte vetëm nëse Sejdiut do t’i pamundësohet gara nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Zhvillimet në LDK analisti Milazim Krasniqi i sheh në suaza të normales për një parti politike që hyn në procesin zgjedhor.

Sipas Krasniqit, Sejdiu ende mund të shihet si lideri i vërtetë i partisë, kurse si sfidë më vete ai parasheh rastin nëse Gjykata Kushtetuese e interpreton postin e tij të ngrirë dhe atë të presidentit të Kosovës si shkelje kushtetuese.

Në atë rast, Krasniqi parasheh se Sejdiu do të zgjedhte postin e kryetarit të partisë.

“Besoj që presidenti Sejdiu ka një hendikep serioz për faktin që mandati i tij është i ngrirë. Mendoj që presidenti Sejdiu nëse vërtetohet që ka konflikt interesi, ndoshta do të duhej t’i jepte prioritet përqendrimit në funksionin e liderit të partisë”
, shprehet Krasniqi.

Sidoqoftë, sipas Milazim Krasniqit, zhvillimet në LDK nuk pritet të destabilizojnë koalicionin aktual PDK-LDK (Partia Demokratike e Kosovës - Lidhja Demokratike e Kosovës).

Aq më tepër kur ai beson se rryma politike në LDK që nuk e mbështet më Sejdiun për kryetar të partisë, sipas Krasniqit, ende nuk është aq e fuqishme që ta marrë kreun e partisë.
...më shumë do të ketë njëfarë retorike politike, përndryshe jam i bindur që ky koalicion qeverisës do të shkojë deri në fund të mandatit.


“Unë besoj që më shumë do të ketë njëfarë retorike politike, përndryshe jam i bindur që ky koalicion qeverisës do të shkojë deri në fund të mandatit”,
thekson Krasniqi.

Koalicioni i LDK-së me PDK-në nga shumë zyrtarë të saj shihet si jo shumë i natyrshëm. Ismet Beqiri thotë se kur u krijua ky koalicion ,rrethanat ishin të atilla që e mundësuan atë, por tash ai vlerëson se përqendrimi duhet fokusuar te zgjedhjet partiake.

Në momentin kur është krijuar koalicioni PDK-LDK, kanë qenë rrethana krejt tjera, nuk kemi qenë ende shtet, e shumë veprime që e kanë bërë të arsyeshme dhe besoj se kanë qenë edhe të qëndrueshme”.

“Por, sigurisht me kalimin e kohës mund të ketë edhe zhvillime tjera, por sidoqoftë për ne, si LDK, dhe për mua është më me rëndësi tash të merremi me zgjedhjet në LDK
”, deklaron Beqiri.

Sidoqoftë, zyrtarët e LDK-së, si Isa Mustafa, Ali Lajçi, e në disa raste edhe ministri Bujar Bukoshi, kanë paralajmëruar se LDK-ja mund të marrë një rol tjetër në koalicion, nëse Sejdiu nuk do të ishte më në krye të partisë.

Në deklaratat e tij, kryetari i Prishtinës Mustafa e ka quajtur të dëmshme për LDK-në dhe Kosovën qeverisjen në formatin e tashëm, kështu që fitorja eventuale e rrymës politike që shihet si alternative e Sejdiut, besohet se nuk do të kalonte krejtësisht pa efekte edhe në raport me qeverisjen aktuale.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG