Ndërlidhjet

AAK: Ligji për Prishtinën – i politizuar


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

AAK thotë se nga mosmarrëveshjet e koalicionit PDK-LDK për Ligjin e Prishtinës, janë humbur më shumë se 30 milionë euro.


Partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikon koalicionin qeverisës PDK-LDK (Partia Demokratike eKosovës- Lidhja Demokratike e Kosovës) për, siç thuhet, vonesën dhe mangësitë në Ligjin për Prishtinën.

Sipas tyre, draft-ligji mbi Prishtinën është një dokument, i cili nuk rregullon shumë nga çështjet, që do t’u mundësonin qytetarëve të Prishtinës një jetë më të mirë.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, njëherësh këshilltar për Pushtet Lokal i kryetarit Ramush Haradinaj, thotë se maratona e papajtueshmërisë dhe loja politike në mes të pushtetit qendror dhe atij komunal të kryeqytetit, ka bërë që për vite me radhë Prishtina si kryeqendër, të mbetet në një kolaps të vërtetë.

Besnik Tahiri
“Mund të themi me plot përgjegjësi se ky ligj është një lojë, e cila bëhet me qytetarët e Prishtinës. Një tendencë për ta zvarritur ligjin, i cili është obligim kushtetues. Ligji do të rregullonte një funksionim dhe menaxhim shumë më të mirë të Prishtinës”.

“Ky ligj, i cili shkon me një vonesë të madhe në debat në Komisionin Parlamentar, është ligj i politizuar, është ligj që për inate politike në mes të PDK-së dhe LDK-së, e ka lënë Prishtinën të vetmen kryeqendër në Evropë pa ligj”,
thotë Tahiri.

Tahiri shpjegon më tej se debati i gjatë në mes të koalicionit PDK-LDK, lidhur me Ligjin për Prishtinën, i ka shkaktuar humbje të mëdha kryeqytetit.

“Mbi 30 milionë euro kanë humbur vetëm për këtë periudhë kohore. Dihet, 14 milionë euro kanë humbur për Pallatin e Rinisë dhe 16 milionë euro kanë humbur nga granti 4% që është dashur t’i takojë Prishtinës. Në këtë aspekt, qytetarët e Republikës së Kosovës që e frekuentojnë Prishtinën kanë qenë të dëmtuar gjatë këtij procesi”, thekson Tahiri.

Për draft-ligjin, të cilin Tahiri e prezantoi para medieve, thotë se është shumë i dobët, sepse ai është kushtëzuar nga të dy partnerët e koalicionit, të cilët pa kurrfarë interesimi për kryeqytetin ia përshtatin atë grupeve të caktuara të interesit.

Tahiri nënvizon se pas analizave të bëra mbi draft-ligjin për Prishtinën, AAK-ja rekomandon disa çështje, të cilat duhet të inkorporohen në ligj.

“Në radhë të parë, kryetari i Komunës së Prishtinës të mos jetë edhe kryesues i Asamblesë, sepse kjo përgjegjësi bie drejtpërdrejt ndesh me parimet e demokracisë. E dyta, ka të bëjë me dispozitën e Ligjit për përqindjen e buxhetit”.

“Ju e shihni që në ligj nuk ka një përcaktim të saktë sa i takon ndarjes së buxhetit. Dhe, e treta, tema e shumëpërfolur rreth Qendrës së Rinisë nuk është e përfshirë në këtë ligj, e ju e dini se i tërë debati ka qenë i përfshirë rreth kësaj teme, e, pse ne tani duhet të kemi një ligj, i cili nuk e përfshinë këtë temë”,
shprehet Tahiri.

Ndryshe, Komisioni për Administratë Publike dhe Pushtet Lokal do të bëjë një dëgjim publik lidhur me amendamentimin e projektligjit pёr qytetin e Prishtinës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG