Ndërlidhjet

Sërish protesta të vreshtarëve?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Vreshtarët e Rahovecit thonë se Qeveria e Kosovës dhe bodrumet ende nuk kanë ofruar ndonjë zgjidhje lidhur me gjetjen e një vendi për grumbullimin e prodhimit të tyre. Ata shprehen të pakënaqur dhe paralajmërojnë rinisje të protestave. Menaxheri i bodrumit “Stone Castle” në Rahovec, thotë se kjo çështje nuk është problem i tyre, por i Qeverisë. Ndërkohë, prodhuesit e rrushit thonë se prodhimi i tyre çdo ditë e më shumë po prishet.

Vreshtarët e Rahovecit paralajmërojnë se brenda dy ditëve të ardhshme do ta rinisin protestat nëse nuk gjendet një zgjidhje për prodhimin e tyre, që nënkupton gjetjen e një vendi për grumbullimin e rrushit të vjelë.

Dy ditë më parë ata kishin ndërprerë protestën me arsyetimin se kanë dashur t’i japin pak kohë Qeverisë së Kosovës dhe bodrumeve, që ta shqyrtojnë problemin seriozisht.

Megjithëkëtë, përfaqësuesit e vreshtarëve thonë se ende nuk u është ofruar ndonjë zgjidhje apo marrëveshje lidhur me këtë çështje.

Labinot Shulina, kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve, thotë se asnjë zgjidhje konkrete nuk është ofruar deri më tash për vreshtarët.

“Ne po presim përgjigje dhe po presim mirëkuptim nga njerëzit e Qeverisë dhe bodrumeve. Mundësitë janë reale, por s’kemi asgjë konkrete. Nëse nuk vjen deri te zgjidhja, ne tjetër rrugë nuk kemi. Me rëndësi është që ne nuk jemi për protesta, por këto po na i imponojnë Qeveria, podrumet dhe të gjithë”, thotë Shulina.

Ndërkaq, prodhuesit e rrushit thonë se temperaturat e larta të këtyre ditëve, tashmë kanë filluar të ndikojnë në prishjen e prodhimit të tyre.

Kujtim Dërguti, kultivues i rrushit, thotë se vreshtarët tash janë duke luftuar që të paktën të ruajnë investimet e tyre, e jo fitimin që do të duhej t’ua sillte prodhimi i rrushit.


“Deri më sot, jemi në humbje diku rreth 30 për qind. Ky diell që është tash, ende po e thanë rrushin dhe po i kalon afati i vjeljes. Unë i kam rreth 21 mijë hardhi rrushi. Rreth 10 mijë euro i kemi investuar aty. Faktikisht, 15 mijë euro është fitimi”.

“ Ne jemi duke luftuar tash që vetëm harxhimet tona të mos shkojnë dëm domethënë paratë që i kemi dhënë për t’i kultivuar vreshtat tona. Nëse nuk bëhet asgjë, protestat do të bëhen edhe më të mëdha, më masive dhe do të na bashkëngjiten edhe bujqit nga e tërë Kosova”,
tregon Dërguti.

Në anën tjetër, Ministria e Bujqësisë nga Qeveria e Kosovës, për zgjidhjen e këtij problemi ka propozuar që sasia e verës së prodhuar gjatë vitit 2009 të subvencionohet dhe të krijohen lehtësi për bodrumet e verërave.

Sipas këtij propozimi, ndërmarrjet përpunuese do të merrnin nga 4 euro-centë për çdo litër verë të prodhuar gjatë vitit 2009.

Por, drejtuesit e prodhuesit më të madh të verës në Rahovec, “Stone Castle”, para objektit të të cilit edhe ishin bërë protestat, vlerësojnë se propozimi i Qeverisë nuk është zgjidhje reale.

Shani Mullaabazi- menaxher i bodrumit “Stone Castle”, thotë se me këtë propozim, Ministria e Bujqësisë vetëm sa po përpiqet ta heqë fajin dhe përgjegjësinë nga vetja.

“Kjo që Ministria e propozon, nuk është zgjidhje dhe absolutisht nuk korrespondon me realitetin, sepse ne, si ndërmarrje, nuk kemi hapësirë kualitative ku ta depozitojmë verën, prodhimin e ri. Rrushin mund ta përpunojmë, por prodhimin e ri nuk kemi ku ta depozitojmë”.

Nuk duam që ta depozitojmë në enët, të cilat janë të dëmtuara, sepse jemi pjesë e tregut ndërkombëtar dhe dëshirojmë që në këtë treg të kemi kualitet dhe të mos e rrezikojmë në asnjë moment kualitetin dhe imazhin e ndërmarrjes sonë. Vreshtarët janë problem i shtetit dhe nuk janë problem i një kompanie private”, thotë Mullaabazi.

Ndryshe, sipas Labinot Shulinës, për vreshtarët do të jetë e pranueshme çdo zgjidhje që do ta shpëtonte prodhimin e tyre.

“Vreshtarët nuk kanë asgjë kundër Qeverisë që t’u japë bodrumeve subvencion, qofshin ato 10 cent ose 1 euro për litër. Neve nuk na intereson ajo. Mirëpo, çështja është se qeveria nuk ka marrë kurrfarë vendimi me akterët kryesorë të lojës, që janë bodrumet”.

“Ne po na fusin si pjesë, si akterë të asaj loje, kinse ne nuk jemi pajtuar ose ku ta di unë... Neve, për momentin, po na intereson vetëm që të pranohet rrushi, e pastaj biseda mund të zhvillohen sa të duan”,
thekson Shulina.

Sidoqoftë, vreshtarët thonë se do të presin një zgjidhje deri ditën e martë, më 21 shtator dhe më pas të fillojnë protestat, të cilat, siç thonë ata, do t’i zhvillojnë edhe në Prishtinë, para Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, protestat e fundit të vreshtarëve kishin eskaluar dhe kishin rezultuar me 21 persona të lënduar.
XS
SM
MD
LG