Ndërlidhjet

Shkup: Nuk priten rezultate konkrete


Shkupi
Shkupi
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, të dielën do të takohet në Nju Jork me mediatorin e Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Nimic gjatë së hënës do të realizojë takim me shefin e diplomacisë greke, Dimitar Drukas.

Analistët politikë në Maqedoni janë skeptikë se takimi në Nju Jork mes presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe mediatorit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, mund të rezultojë me një rezultat konkret që do të çonte kah zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë gjatë kësaj vjeshte.

Alajdin Demiri, publicist nga Tetova, vlerëson se udhëheqësia politike maqedonase mungesën e vullnetit për ta zgjidhur kontestin, e kamuflon me kërcënimin ireal të Greqisë ndaj shtetësisë maqedonase.

“Ata janë duke e traumatizuar kontestin kinse Greqia dëshiron ta zhbëjë Maqedoninë, kombin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe pikërisht këtu qëndron problemi. ngase ky ‘ushqim’ gjeti konsumin -vendin e vet në Maqedoni”, vlerëson Alajdin Demiri.

Më tutje Demiri shton se në këtë mënyrë Qeveria e Maqedonisë blen kohë duke kërkuar fajin, herë te Greqia, e herë te faktori ndërkombëtar për presionin e shtuar që të zgjidhet kontesti në disfavor të interesave shtetërore të Maqedonisë.

Ndërkaq, për ish-diplomatin Denko Malevski, takimi Nimic-Ivanov nuk mund të sjellë asgjë konkrete që do të çonte kah zhbllokimi i procesit, pasi elita politike në Maqedoni nuk i ka harmonizuar paraprakisht qëndrimet për arritjen e një konsensusi të gjerë sa i përket linjës së kuqe për çështjen e emrit.

Ky fakt, thekson ish-diplomati Malevski, e dobëson dukshëm pozicionin e Maqedonisë.

“Është më se e domosdoshme që të gjitha partitë politike të ulen kokë më kokë dhe bashkërisht të marrin një qëndrim unik rreth kompromisit të mundshëm për zgjidhjen e kontestit me Greqinë lidhur me çështjen e emrit, që do t`i hapë rrugë integrimit të vendit në NATO dhe BE”, thekson ish-diplomati maqedonas, Denko Malevski.

Sipas Malevskit, strategjia e palës maqedonase është duke u ndërtuar në pritjet iracionale se diçka do të ndryshojë te NATO dhe BE-ja, ose udhëheqësia greke, gjë që, të paktën, në një të ardhme të afërt nuk do të ndodhë.

Nga ana tjetër, duke komentuar akuzat e bllokut politik shqiptar se faktori shqiptarë në Qeverinë e Gruevskit injorohet tërësisht sa i përket këtij procesi meqë presidenti Ivanov, para vizitës së tij nuk e thirri në konsultime edhe zëvendëskryeministrin Abdylaqim Ademi, Alajdin Demiri vlerëson se shqiptarët vetë veten e kanë përjashtuar nga të qenët faktor relevant në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“Elita politike shqiptare, partitë politike shqiptare hoqën dorë nga parimi i të qenët pjesë e procesit të zgjidhjes së kontestit me Greqinë. Implementimi – inkuadrimi i tyre, do të ishte ndihmesë shumë më e madhe në këtë drejtim sesa fakti që ata mbeten neutral dhe nuk bëjnë asgjë”.

“Këtu faji nuk qëndron te faktori politik maqedonas, por faji është i partive politike shqiptare për mungesë vizioni dhe idesë politike për të qenë pjesë e një zgjidhjeje reale të kontestit”, thekson Alajdin Demiri, ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë.
XS
SM
MD
LG