Ndërlidhjet

Synimet e Mileniumit në pikëpyetje

  • Nik Krastev

Pakistan

Pakistan

Më shumë se 130 shefa të shteteve dhe të qeverive janë tubuar në Nju Jork për konferencën treditore të Kombeve të Bashkuara, e cila synon t’i rishqyrtojë veprimet e shteteve mbi zotimet e tyre për t’iu ndihmuar vendeve në zhvillim, që ta çrrënjosin varfërinë deri në vitin 2015.

Progresi i synimeve të Mileniumit është ngadalësuar nga kriza globale financiare, ndërsa kreu i OKB-së, Ban Ki-mun, tha se do të duhen miliarda shtesë nga vendet donatore.

Një dekadë më parë, vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara u zotuan ta çrrënjosin varfërinë dhe urinë ekstreme në botë, të sigurojnë arsim primar për të gjithë, ta reduktojnë shkallën e vdekshmërisë së fëmijëve dhe ta ndalin hovin e përhapjes së sëmundjes HIV/AIDS deri në vitin 2015.

Tash, kur kanë mbetur vetëm pesë vjet për t’i arritur ambiciet e tilla, Ban Ki-mun i grumbulloi udhëheqësit në Nju Jork, për ta vlerësuar progresin e deritanishëm. Sipas të gjitha llogaritjeve, shumica e synimeve janë larg realizimit. Ban e tha këtë me pak më shumë diplomaci.

“Kam qenë shumë i inkurajuar nga mbështetja e fuqishme e këtij aksioni. Sidoqoftë, ne i kemi parë dallimet që mund të bëjë angazhimi i politikës së lartë. Në këtë garë kundër kohës, ne të gjithë duhet t’i mbajmë premtimet”
, tha Ban.

Mark Lagon, nga Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme në Nju Jork, thotë se ky është problemi themelor. Përderisa Kombet e Bashkuara mund të ofrojnë një forum global mbi çështjet si varfëria, si institucion ndërkombëtar ato kanë shumë pak ndikim në të ardhurat vjetore të njerëzve.

“Kombet e Bashkuara janë një forum ku shtetet i shprehin shqetësimet e tyre mbi varfërinë në botë. Por, mekanizmat që krijojnë prosperitet dhe rritje ekonomike, kanë të bëjnë shumë pak me Kombet e Bashkuara”
, thotë Lagon.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar luajnë më shumë rol në ndryshimin e gjendjes financiare të njerëzve, përmes projekteve masive zhvillimore, mbikëqyrjes dhe fondeve.

Stjuart Patrik, drejtues i Programit për Institucionet Ndërkombëtare dhe Qeverisje Globale në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme, thotë se tubimet botërore, si ky në Nju Jork, shërbejnë për të përqendruar vëmendjen ndërkombëtare dhe që të nxiten çështje të veçanta.

Por, ai nuk është shumë optimist se kjo do të ndryshojë kur bëhet fjalë për synimet e Mileniumit.

“Këto synime janë tejet ambicioze dhe ishte e vështirë të përmbushen, por tash me krizën ekonomike globale që goditi nga fundi i vitit 2008, disa gjëra do të jenë më të vështira për t’u realizuar”
, thotë Patrik.

Ban Ki-mun thotë se, që të realizohen synimet e Mileniumit, Kombeve të Bashkuara u duhen 26 miliardë dollarë dhe 100 miliardë dollarë tjerë deri në vitin 2015. (v.p.)
XS
SM
MD
LG