Ndërlidhjet

Suedi: E djathta ekstreme hyn në parlament


Xhimi Akeson kremton fitoren...
Xhimi Akeson kremton fitoren...
Për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të 19 shtatorit në Suedi, një parti e ekstremit të djathtë si “Demokratët suedezë”, që ka politika kundër imigracionit, arriti të ketë përfaqësim në parlament.

Koalicioni i qendrës së djathtë i kryeministrit Frederik Reinfeld kryeson në këto zgjedhje, duke fituar 173 nga 349 ulëset në parlament. Ky rezultat nuk i jep mundësi koalicionit që është aktualisht në pushtet të krijojë i vetëm qeverinë.

Partia “Demokratët suedezë”, e drejtuar nga Xhimi Akeson, ka kaluar kufirin e nevojshëm prej 4% dhe pret të fitojë rreth 20 vende në parlament, çfarë i jep mundësinë që të futet në koalicion me aleancën e qendrës së djathtë. Akeson theksoi synimin e partisë së tij që të ndikojë mbi debatin politik në Suedi.

“Jemi të përgatitur që t’i marrim përgjegjësitë ashtu siç besojmë që edhe partitë e tjera janë të përgatitura t’i marrin përgjegjësitë për këtë vend. Shpresoj të kemi një qeveri brenda pak javësh dhe të kemi një pozitë të fortë në parlament”, tha Akeson.

Por, kryeministri Reinfeld tha se nuk planifikon të hyjë në koalicion me të djathtën ekstreme të Akesonit.

“Populli suedez nuk na dha rezultatin që dëshironim. Asgjë nuk është përfundimtare. Por, unë dhe partnerët e koalicionit kemi thënë gjatë fushatës se blloku ynë është më i madhi dhe i tillë mbetet edhe pas këtyre zgjedhjeve”, tha Reinfeld.

Social-demokratët, të cilët garuan në këto zgjedhje në koalicion me të gjelbrit, kanë pranuar humbjen. E majta e qendrës në 78 vjetët e fundit e ka drejtuar Suedinë për 65 vjet.

Reinfeld, kryeministri aktual, tha se një koalicion i mundshëm për të siguruar shumicën qeverisëse, mund të bëhet me të gjelbrit.

“Kemi thënë gjatë gjithë kohës se nëse gjendemi në një situatë ku duhet të vendosim për një koalicion, do t’i drejtohemi Partisë së Gjelbër”,
tha Reinfeld.

Ky i fundit, gjatë gjithë fushatës, ka përsëritur se suedezët nuk duhet të votojnë për një parti që është kundër imigracionit.

Partia e drejtuar nga Akesoni bën thirrje për një zvogëlim prej 90% të imigracionit dhe e ka cilësuar popullsinë myslimane si kërcënimin më të madh për Suedinë.

Një skenar i ngjashëm ka ndodhur dhe në shumë vende të tjera evropiane. Rritja e popullsive myslimane dhe e imigracionit kanë nxehur debatin politik në vendet e Evropës Perëndimore dhe është vënë re rritje e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë.

I ngjashëm është rasti i “Partisë së Lirisë” në Holandë. Kreu i kësaj partie, Gert Vilders, rriti përfaqësimin e partisë së tij në Parlamentin holandez nga 9 në 24 vende në zgjedhjet e fundit. Ai njihet për deklaratat kundër imigrantëve dhe komentet kundërthënëse ndaj Islamit.

Situatë e ngjashme paraqitet dhe në vendet e tjera nordike, si Danimarka e Norvegjia. (i.b.)
XS
SM
MD
LG