Ndërlidhjet

Nimic, pa propozime për emrin


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Takimi i mbrëmshëm në Nju Jork mes presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, ka përfunduar pa ndonjë propozim konkret për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë.

Deklarata e Nimicit është përcjellë nga kabineti i presidentit të Maqedonisë, në të cilën ndërmjetësi i OKB-së është shprehur i kënaqur lidhur me rritjen e besimit mes dy vendeve për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar.

“Mendoj se ka ndjenjë të madhe të besimit dhe se problemi mund të arrihet me dialog në një nivel shumë të lartë mes udhëheqësve të të dyja vendeve dhe të arrihet te një zhvillim pozitiv”, deklaroi Metju Nimic pas takimit në Nju Jork me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili, nga ana tjetër, ka njoftuar ndërmjetësin e OKB-së me pozicionin e Maqedonisë për zgjidhjen e kontestit me fqinjin jugor.

“Presidenti Ivanov e ka njoftuar ndërmjetësin Nimic me pozicionin e Maqedonisë për këtë çështje, me ç'rast ka përsëritur gatishmërinë e Maqedonisë për zgjidhje të shpejtë dhe të pranueshme të kontestit, që do të mbronte dinjitetin e qytetarëve maqedonas“,
deklaroi Zoran Jolevski, ambasador i Maqedonisë në Nju Jork.

Ndërkohë, Nimic i është shmangur pyetjes lidhur me ekzistimin e afateve për zgjidhjen e problemit, duke thënë se bëhet fjalë për një çështje, për të cilën po diskutohet shumë vite, por që mund të pritet zgjidhje me një dialog të nivelit të lartë mes palëve.

“Nuk do të flisja për afate. Duke punuar shumë vite për këtë çështje, mendoj që nga viti 1994, sigurisht se shoh një dialog, i cili jep një pritje realiste, se për këtë problem mund të ketë një zgjidhje të përbashkët, me të cilën të dyja palët ndjejnë se kanë arritur qëllimet nacionale, të mbrojnë krenarinë kombëtare të të dyja vendeve”,
deklaroi Nimic.

Duke komentuar rrjedhën e bisedimeve, Vlldimir Misev, nga Instituti për Demokraci, tha se Nimic ka bërë të qartë se, tani e tutje, çështja u takon të dyja palëve – pra, derisa në bisedime nuk përfshihen përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, nuk do të ketë zgjidhje të problemit.

“Kjo, sipas meje, është ajo që deshi të thoshte ndërmjetësi Mejtu Nimic, duke inkurajuar të dyja palët me deklaratën se është rritur besimi mes tyre. Pra, Kombet e Bashkuara dhe ndërmjetësi Nimic do të mbeten në këtë kontest, nuk do të dalin me propozime derisa palët nuk afrojnë qëndrimet, që mendoj se ende janë larg njëra-tjetrës”
, deklaroi Misev.

Nga ana tjetër, analisti Artan Sadiku, për mungesën e nxjerrjes së ndonjë propozimi nga Metju Nimic, fajësoi palën maqedonase, e cila, për dallim nga ajo greke, me prononcimet e fundit të zyrtarëve shtetërorë për periudhën e integrimit në vitet ’90, edhe më shumë ka ndërlikuar situatën.

Sadiku tha se është koha e fundit që në vend të hapet një debat serioz për definimin e pozicionit të Maqedonisë.

“Pala greke u deklarua duke thënë se për të propozimi ‘Maqedonia e Vardarit’ është i pranueshëm. Me këtë, tani bëhet e qartë se e gjithë barra bie te pala maqedonase, e cila aspak nuk paraqet një pozicion të qartë, jo vetëm për propozimin e fundit, por për gjithë procesin. Kjo e rëndon shumë pozitën ndërkombëtare të Maqedonisë”.

“Besoj se presionit ndërkombëtar ekzistues tani duhet t’i bashkëngjitet edhe një presion i brendshëm politik, publik dhe mediatik në Maqedoni, që do të kërkojë sqarim të pozicionit lidhur me propozimin e fundit”
, deklaroi Sadiku.

Kontesti me Greqinë për çështjen e emrit ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG