Ndërlidhjet

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme


Nëse një zyrtar i lartë i institucioneve të Kosovës është pasuruar për një periudhë të shkurtër kohore në mënyrë jo të ligjshme, pasuria nuk mund t’i konfiskohet, pasi që nuk ekziston ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Organizata të ndryshme joqeveritare thonë se Kosovës, krahas disa ligjeve për luftën kundër korrupsionit, i mungon edhe ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Drejtuesit e organizatave thonë se duhet të ketë një vullnet institucional për luftimin e korrupsionit, e më pas edhe miratimin e ligjeve, të cilat do ta ndihmonin këtë luftë.

Merita Mustafa, menaxhere në programin “Transparenca dhe anti-korrupsioni” në Institutin Demokratik të Kosovës, thekson nevojën e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Për të ardhur në shprehje ky ligj dhe për të diskutuar për të, ne, në radhë të parë, duhet të kemi institucione të gatshme, për të hetuar hollësisht pasurinë e zyrtarëve të lartë. Fatkeqësisht, ende nuk i kemi këto institucione të përgatitura sa duhet për të punuar në këtë aspekt”, thotë Mustafa.

Ajo thotë se në kohën kur është miratuar ligji për deklarimin e pasurisë, shoqëria civile ka kërkuar që në të të futet edhe një nen, i cili do të rregullonte çështjen e konfiskimit të pasurisë së paligjshme. Por, sipas saj, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“E kemi parë që institucionet nuk kanë qenë të gatshme, Parlamenti nuk ka pasur vullnet për ta bërë një gjë të tillë...”, thotë Mustafa.

Nga ana tjetër, edhe ligjvënësit kosovarë e shohin si të rëndësishëm hartimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Armend Zemaj, nga Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi, thotë se nëse deri në përfundim të kohës së reformimit gjyqësor nuk hartohet një ligj i tillë nga Qeveria, atë do ta iniciojë Kuvendi i Kosovës.

“Nëse nuk arrihet një ligj i tillë nga Qeveria, vetë deputetët do të marrin iniciativë për hartimin e tij. Më herët kemi pasur një deklaratë se (Qeveria) do ta iniciojë një ligj të tillë, por kjo deri më tash ka mbetur vetëm mënyrë deklarative”, thotë Zemaj.

Zyrtarët e Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, konsiderojnë se mosmiratimi i ligjeve që do të ndihmonte në luftën kundër korrupsionit, është i qëllimshëm. Avni Zogiani, drejtor i kësaj organizate, thotë:

“Është e qartë që verifikimi i pasurisë dhe konfiskimi i saj, nëse është e paligjshme, mund të bëhet vetëm përmes hetimeve të gjithëmbarshme, të cilat përfshijnë edhe hetimet që bien në kompetencë të prokurorisë dhe policisë”.

“Këto kompetenca nuk i ka agjencia (Agjencia Kundër Korrupsionit), siç i kanë agjencitë e ngjashme. Prandaj, unë mendoj se është krijuar një lloj konfuzioni i qëllmshëm, në mënyrë që korniza ligjore anti-korrupsion të mos funksionojë”, thotë Zogiani.

Kosova, disa herë, në raporte të ndryshme ndërkombëtare është përmendur si një vend me shkallë të lartë të korrupsionit.

Këtë vit, Parlamenti ka themeluar Agjencinë për administrimin e pasurisë së sekuestruar. Kjo agjenci, sipas organizatave joqeveritare, ende nuk është plotësisht funksionale.

Agjencia, sipas ligjit, ruan dhe administron pasurinë e sekuestruar ose të konfiskuar në bashkëpunim me prokurorinë, gjykatën, apo organet tjera kompetente, në pajtim me ligjin në fuqi.
XS
SM
MD
LG