Ndërlidhjet

Dëbimi i romëve, sfidë për themelet e BE-së


Muajin e kaluar, Franca filloi riatdhesimin e romëve, kryesisht në Rumani dhe Bullgari.
Muajin e kaluar, Franca filloi riatdhesimin e romëve, kryesisht në Rumani dhe Bullgari.
Robert Tait & Antuan Blua

Për një kohë të gjatë, romët kanë qenë të harruarit e Evropës. Së fundi, ata janë vendosur në qendër të debatit politik, pas dëbimit të mijëra romëve nga Franca. Çfarë do të thonë politikat e ndjekura ndaj këtij grupimi për vetë Bashkimin Evropian?


Lëvizja e lirë dhe kërkimi i një jete më të mirë në pjesë të tjera të Unionit janë ndoshta shenja dalluese kryesore të Bashkimit Evropian. Por, në Evropën e Nikola Sarkozisë apo Silvio Berluskonit këto të drejta kanë kufizimet dhe paradokset e veta.

Dëbimi nga Franca i 1000 romëve, muajin e kaluar, ka nxjerrë në sipërfaqe një problem që ekziston prej vitesh. Njëherësh, ky problem po sfidon imazhin e Bashkimit Evropian si një bastion i kufijve të hapur, integrimit ndëretnik dhe kundër diskriminimit.

Ajo që tronditi kontinentin, ishte një memorandum i Qeverisë franceze, ku romët theksoheshin në veçanti bazuar në përkatësinë e tyre etnike. Ishte ky dokument që shkaktoi revoltën e eurokomisionares së drejtësisë, Vivian Reding, e cila i krahasoi dëbimet e romëve me trajtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ishte reagimi i eurokomisionares që shkaktoi debat të ashpër mes presidentit francez, Sarkozi, dhe presidentit të Komisionit, Zhose Manuel Baroso, ditë më parë në një takim në Bruksel. Baroso mbështeti qëndrimin e Redingut se Franca ka shkelur ligjet evropiane.

“Pozicioni i Komisionit është i qartë dhe ligji i Unionit duhet respektuar. Ndalimi i diskriminimit bazuar në etninë është një nga vlerat themelore të BE-së. Komisioni Evropian do të bëjë çfarë është e nevojshme që të respektohet ky parim”.

“Zëvendëspresidentja Reding e ka bërë të qartë dhe ajo ka mbështetjen e plotë të të gjithë kolegëve dhe timen”,
tha Baroso.

Tetë mijë romë janë dëbuar nga Franca gjatë këtij viti, derisa dhjetë mijë të tjerë janë dëbuar në vitin 2009. Por, Franca nuk është e vetme.

Në vitin 2008, Qeveria e Berluskonit ndezi debatin kur planifikoi të merrte shenjat e gishtave për pjesëtarët e komunitetit rom, pasi i deklaroi ata si kërcënim për sigurinë. Ndaj, mbështetja e Berluskonit për Sarkozinë në takimin e fundit në Bruksel, nuk ishte e papritur.

Dëbime të romëve ka pasur dhe nga vendet skandinave drejt Rumanisë. Politikanët si Sarkozi i justifikojnë hapat e tyre me faktin se kampet e romëve janë kthyer në burim të krimit të rrugës dhe prostitucionit.

Mbështetësit e komunitetit rom theksojnë se kushtet e romëve në Rumani e Bullgari janë shumë të vështira. Aktivistët kritikojnë dhe Francën për hipokrizi që nuk i jep këtij grupi qasje në tregun e punës.

Por, Mishel Mezard, nga grupi Romeurope, thotë se gjendja e romëve në Francë sërish është më e mirë se ajo me të cilën ata përballen në Rumani.

“Në Rumani ata nuk gjejnë dot një punë dhe nuk mund të sigurojnë jetesën. Edhe në Francë është e vështirë, pasi nuk kanë qasje në tregun e punës. Megjithatë, në Francë, le të themi përmes aktiviteteve ekonomike paralele, ata mund të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar”, thotë Mezard.

Riçard Houit, anëtar i Parlamentit Evropian nga Labursitët britanikë, fajëson politikanët e partive kryesore që kanë nisur të kenë tone raciste në agjendat e tyre, si mënyrë për të fituar votat.

“Jam i trembur se dhe në vendin tim, në Britaninë e Madhe, ka një rritje të së djathtës ekstreme. Duhet thënë se partitë kryesore kanë një pjesë të përgjegjësisë, pasi ndonjëherë ato apelojnë, ndonëse në mënyrë të koduar te sentimentet raciste”.

“Në Austri, një e treta e zgjedhësve votuan për ekstremin e djathtë, pasi partitë kryesore, në një mënyrë ose tjetër, i kanë legjitimuar këto grupime”,
thotë Houit.

Në rastin e romëve në Francë, rreziku themelor qëndron në faktin se ajo kërcënon të prekë themelet e ndërtesës evropiane. (i.b.)
XS
SM
MD
LG