Ndërlidhjet

Kush vendos për formatin dhe agjendën?


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Nju Jork me shefen e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton. Në takimin e mbrëmshëm u diskutua lidhur me hapat e mëtejshëm që do të merren për bashkëpunimin mes Kosovës e Serbisë...(Pamje nga arkivi)
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Nju Jork me shefen e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton. Në takimin e mbrëmshëm u diskutua lidhur me hapat e mëtejshëm që do të merren për bashkëpunimin mes Kosovës e Serbisë...(Pamje nga arkivi)
Asgjë nuk është zyrtarizuar për datën, formatin apo temat e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Mediat në të dyja vendet kanë shkruar se propozim i Bashkimit Evropian është që të diskutohen çështjet që kanë qenë të përfshira edhe në planin gjashtëpikësh të Ban Ki-munit si dhe veriu si temë e veçantë.

Opozita ka kërkuar që agjenda të miratohet në Kuvend, por kryekuvendari Jakup Krasniqi bëri të ditur se një hap i tillë do të ndërmerrej vetëm po qe se ka bisedime politike.

“Nëse zhvillohen bisedimet politike, ato duhet të miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nëse zhvillohen bisedime teknike, ato janë kompetencë dhe përgjegjësi e Qeverisë”, u shpreh Krasniqi.

Por, anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli, tha se pa marrë parasysh natyrën e bisedimeve, agjenda duhet ta marrë dritën jeshile nga Kuvendi i Kosovës.

“Agjenda patjetër duhet të vijë në Parlamentin e Kosovës. Nuk ka bisedime dhe nuk mund të bëhen bisedime pa u trajtuar agjenda në Kuvendin e Kosovës. A ka apo nuk ka bisedime të fshehta, besoj se do ta shihni shumë shpejt”, tha Tërmkolli.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Serbia është zbutur karshi statusit të Kosovës, me dërgimin e rezolutës së ndryshuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, rezolutë kjo që bën thirrje për bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas analistit për çështje politike, Ismajl Hasani, në këto bisedime, as Kosova e as Serbia nuk mund t’i përcaktojnë vetë temat.

“Nuk është Serbia dhe Kosova që mund të vendosin për temat, ato mund të vendosin për formatin. Por, për temat e bisedimeve mes dy shteteve të pavarura që kanë konteste të shumta, që kanë pasur një të kaluar me luftë, nuk është e thënë as në rregullat e diplomacisë, që ato ta përcaktojnë në mënyrë rigoroze dhe të pavarur agjendën e bisedimeve. Problemi është se në këtë situatë është i domosdoshëm ndërmjetësimi”, tha Hasani.

Por, në anën tjetër, sipas drejtorit të Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, faktorë kryesorë në bisedimet Kosovë-Serbi janë tri palë...

“Bisedimet janë vendosur në kontekstin evropian dhe do të ketë rol për të tria palët. Por, pala kosovare duhet të jetë e përgatitur, t’i ketë të qarta pozicionet e saj, se çka duhet të bisedojë me Serbinë, si e sheh procesin e integrimit evropian... Këtu nuk ka hapësirë për ngecje dhe për të ndenjur duarkryq”, tha Hoxha.

Kryeministri i Kosovës ka biseduar në Nju Jork me shefen e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, në lidhje me hapat e mëtejshëm që do të merren për bashkëpunimin mes Kosovës e Serbisë.

Takimet e baroneshës Eshton me liderët e Kosovës dhe Serbisë, disa i kanë parë si përpjekje për të takuar, qoftë edhe simbolikisht, kryeministrin Hashim Thaçi dhe presidentin serb, Boris Tadiq. Në këtë përpjekje nuk beson sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.

“Mendoj se është spekulim... Mendoj se më reale është që ai takim të përgatitet. Mendoj se shtrëngim të duarve dhe takim simbolik nuk do të ketë, ai mund të jetë vetëm spontan. Ai nuk mund të cilësohet si zyrtar apo vënie e kontakteve zyrtare”, u shpreh Ivanoviq.

Për analistin kosovar, Ismajl Hasani, më e rëndësishme sesa një takim eventual simbolik mes kryeministrit kosovar dhe presidentit serb, është përcaktimi i temave jetësore që duhet të diskutohen mes dy vendeve. Ai tha se BE-ja mund t’i përcaktojë temat, por jo formatin e bisedimeve.

“(Takimi) nuk duhet të jetë rezultat i ndonjë parapëlqimi apo besimi blanko, që dikush, në rastin konkret pala ndërmjetësuese, do t’i japë prerogativa, qoftë Thaçit apo Tadiqit, që t’i përfaqësojnë shtetet e tyre”.

“Përfaqësimi duhet të jetë në mënyrë rigoroze institucional, që nga presidenti, qeveria dhe instancat tjera - kjo është e para. E dyta, është i domosdoshëm insistimi në zgjidhjen e problemeve që kushtimisht quhen probleme të natyrës teknike, por që janë të natyrës së thellë”,
tha Hasani.

Zyrtarët serbë konsiderojnë se ende është herët për përcaktimin e temave. Ivanoviq nuk beson se takimi i shefes se diplomacisë evropiane me kryeministrin Thaçi dhe presidentin Tadiq ka të bëjë me përcaktimin e agjendës së bisedimeve.

“BE-ja në këtë mënyrë ka hyrë në funksion të ndërmjetësuesit, edhe pse një rol i tillë është kërkuar nga OKB-ja. Këtu mund të bisedohet vetëm për ndonjë kornizë, cili është formati, kush do të jetë i pranishëm, në çfarë forme do të bëhen bisedimet...”.

“Ndoshta edhe ka të bëjë me temat e para të iniciuara, por mendoj se është ende herët dhe duhet pritur procesin, që të shihet se çka do të ndodhë në ditën e bisedimeve që do t’i ketë presidenti ynë me zonjën Eshton dhe çfarë do të dalë nga ai takim”,
tha Ivanoviq.
XS
SM
MD
LG