Ndërlidhjet

Lufta kunder korrupsionit: (S')ka kufizime politike


Debati mbi korrupsionin është duke u zbehur si rezultat i çështjeve makro-politike, si: sovraniteti, integriteti territorial, veriu i Kosovës dhe anëtarësimi në strukturat ndërkombëtare, ka vlerësuar lëvizja FOL përmes raportit të fundit të Monitorimit mbi Aktivitetet e Institucioneve Publike të Kosovës në Luftën Kundër Korrupsionit.

Zyrtari i analizimit dhe monitorimit në këtë lëvizje, Armend Mazreku, tha se gushti ka shënuar muajin më të dobët të aktiviteteve qeveritare në luftë kundër korrupsionit, për shkak se, siç tha ai, nga 34 vendime të Qeverisë së Kosovës për këtë muaj, asnjë vendim nuk ka qenë në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mazreku theksoi se zhvillimet e fundit politike në Kosovë kanë, siç tha ai, mbipeshuar luftimin e korrupsionit.

“Ajo çfarë vërehet është se çështjet kryesisht makro-politike, siç janë: sovraniteti, integriteti territorial, anëtarësimi i Kosovës në institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, po ashtu edhe çështja e Mitrovicës së veriut, janë në njëfarë mënyre duke mbisunduar, janë duke mbipeshuar çështjen e luftimit të korrupsionit”, tha ai.

Raporti i lëvizjes FOL, i cili publikohet për çdo muaj në kuadër të projektit “Monitoruesi i korrupsionit”, analizon dhe punën e sistemit gjyqësor, të Policisë së Kosovës dhe të Doganave të Kosovës.

Mirëpo, kritikat e lëvizjes FOL nuk u drejtuan vetëm në adresë të këtyre mekanizmave. Mazreku tha se as misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nuk po tregon rezultatet e paralajmëruara në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

“EULEX-i është pak a shumë i kufizuar... Për hir të disa elementeve politike, shpeshherë po sakrifikon çështje që e prekin drejtpërdrejt qoftë edhe legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës në raport me jashtë, qoftë edhe në raport me brenda”, tha Mazreku.

Ndërkaq, përfaqësues të EULEX-it hodhën poshtë zërat që flasin për kufizime politike të punës së këtij misioni në drejtim të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Drejtorja e Zyrës për Informim në EULEX, Karin Limdal, tha se në muajt e fundit ka pasur mjaft zhvillime, të cilat dëshmojnë efikasitetin e misionit.

“Nuk ka kurrfarë tendosjeje apo kufizimesh politike në aktivitetet e EULEX-it. Ne jemi duke i zhvilluar hetimet dhe gjatë verës kemi pasur disa rezultate: kemi pasur bastisjet e PTK-së, kemi pasur arrestimin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës e që është një shembull i mirë për bashkëpunimin e EULEX-it me institucionet vendore”.

“I keni parë në javën e kaluar arrestimet që kishin të bëjnë me kontrabandë. Hetimet tona janë duke vazhduar gjatë gjithë kohës”,
u shpreh ajo, për të shtuar se mund të ketë kufizime për shkak të problemeve të caktuara operacionale, që duhet të trajtohen.

Limdal tha se rezultatet e veprimeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk dëshmohen vetëm me arrestimin e personave të caktuar.

Në muajin shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës pati formuar një “task-forcë” speciale, në përbërje të së cilës janë edhe pjesëtarë të misionit EULEX.

Lufta kundër korrupsionit në Kosovë vlerësohet të jetë një nga sfidat kryesore në drejtim të formimit të shtetit ligjor dhe integrimit në mekanizmat ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian, ku sundimi i ligjit është një nga parakushtet për anëtarësim për vendet që synojnë të integrohen në këtë mekanizëm.
XS
SM
MD
LG