Ndërlidhjet

Mosfunksionimi i CEFTA-s: Kosova pëson krizë


CEFTA, vendet anëtare
CEFTA, vendet anëtare


Që nga 3 dhjetori i vitit 2008, kur dy vendet fqinje, Serbia dhe Bosnja, kishin bllokuar produktet e Kosovës për shkak të ndërrimit të vulave të doganave, nga ato të UNMIK-ut në ato të Kosovës, prodhuesit vendorë kanë shënuar humbje të mëdha në bizneset e tyre.

Autoritetet kosovare, të cilat vazhdimisht kanë deklaruar se do të bëjnë përpjekje për zgjidhjen e kësaj çështjeje, deri më tani janë treguar të pasuksesshme, vlerësojnë përfaqësues të biznesit.

Milazim Abazi, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se që nga bllokimi i produkteve kosovare nga dy vendet fqinje, humbjet e prodhuesve vendorë janë të mëdha.

“Ka humbje prej qindra-miliona eurosh. Unë apeloj te Qeveria e Kosovës që t’i përgjigjet me të njëjtën masë Serbisë dhe Bosnjës. Pa të njëjtin raport, ne këtë problem nuk mund ta zgjidhim. Nëse ndalojmë çdo mall të këtyre dy vendeve, atëherë mund të hapim rrugë për mallrat tona”, shprehet Abazi.

Së fundmi, pasojat e bllokimit të mallrave kosovare nga Serbia dhe Bosnja u shfaqen te vreshtarët, ku eksporti i verës nga Kosova është goditur rëndë nga bllokada që po bëjnë vendet përreth – e më së shumti Serbia, që ka shërbyer si rrugë transiti.

Drejtori i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë, Flamur Keqa, thotë se Serbia dhe Bosnja po bëjnë luftë tregtare kundër Kosovës, porse, sipas tij, së shpejti priten hapa konkretë lidhur me këtë çështje.

“Ne kemi treguar bashkëpunimin tonë dhe nëse Serbia mbetet konsistente në qëndrimet e saj politike, atëherë Qeveria, e cila deri më tani ka shqyrtuar vënien e reciprocitetit ndaj Serbisë, do të ndërmarrë masa më radikale në këtë drejtim”, thotë Keqa.

Kosova ka filluar përgatitjet për të marrë presidencën e radhës të CEFTA-s në vitin 2011. Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë bërë të ditur se kanë hartuar planin, të cilin do ta udhëheqin gjatë një viti. Ky plan, sipas tyre, është aprovuar edhe nga shtetet tjera anëtare të CEFTA-s.

Flamur Keqa shpreson se pas marrjes se kryesimit të CEFTA-s, kjo çështje do të jetë më e lehtë për t’u zgjidhur.

“Është edhe një mundësi tjetër, që si kryesues të CEFTA-s të bëjmë presion shtesë në drejtim të Serbisë dhe Bosnjës. Mirëpo, është edhe disponimi i Bashkimit Evropian, i cili, sipas informatave që i kemi, në një formë të caktuar po bën presion që elementi politik të eliminohet nga bashkëpunimet ekonomike rajonale”, thekson Keqa.

Projekti CEFTA është një projekt ndërkombëtar, i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Projekti si i tillë është treguar i suksesshëm në Evropën Qendrore, por në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është arritur realizimi i asaj që kërkohet nga kjo marrëveshje.
XS
SM
MD
LG