Ndërlidhjet

Anëtarësimi në OBT: Lobimi përmes komunikimit


Selia e OBT-së në Gjenevë

Selia e OBT-së në Gjenevë

Bizneset kosovare po bëjnë përpjekje për të krijuar treg edhe jashtë Kosovës, si dhe lidhje me bizneset botërore, për t’i tërhequr ato që të investojnë në Kosovë, thonë përfaqësuesit e bizneseve në vend.

Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se gjatë javës së kaluar, përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës kanë marrë pjesë në forumin e Organizatës Botërore të Tregtisë në Gjenevë të Zvicrës, ku me kolegët e tyre botërorë kanë shqyrtuar mundësitë e avancimit të ekonomisë së Kosovës.

“Ne aty patëm rastin që të takohemi me njerëz të ndryshëm, të vendeve që janë anëtare... Kemi pasur rastin të takohemi me 12 apo 13 shtete, ku kemi biseduar rreth mundësisë së avancimit të ekonomisë së Kosovës nëpër tregjet e ndryshme të botës, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar”.

“Askush nuk na thërret atje që të anëtarësohemi, por ne duhet të lobojmë dhe të insistojmë që të jemi pjesë e atij mekanizmi, sepse përfitimet janë të mëdha nëse ne jemi aty”,
thotë Shahini.

Në kuadër të grupit të biznesmenëve kosovarë që morën pjesë në forumin e Organizatës Botërore të Tregtisë ishte edhe Berat Mustafa, drejtues i kompanisë “RC Cola”.

Ai thotë se për biznesmenët kosovarë, përvojat e kompanive botërore janë të çmueshme për të depërtuar në tregun jashtë vendit.

“Me vizitën në Organizatën Botërore të Tregtisë, tashmë është bërë një hap. Por, (Kosova) duhet të anëtarësohet patjetër, sepse derisa je në një forum ku bëjnë pjesë 153 shtete, është një përvojë dhe praktikë e mirë”.

“Duhet të bëjmë çmos që ta ndajmë një buxhet që të jemi pjesë e botës, pjesë e zhvillimit dhe industrisë në botë. Unë mendoj se duhet të bëjmë çmos rreth anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë”,
shprehet Mustafa.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se përvojat nga forumi i Organizatës Botërore të Tregtisë tregojnë se Kosova duhet të insistojë dhe të lobojë për anëtarësim në këtë organizatë.

Sipas tij, kjo lidhet edhe me interesimin e kompanive të mëdha botërore për të investuar në Kosovë. Siç thekson ai, ato kompani kërkojnë që Kosova t’i plotësojë kushtet për të qenë pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë, në të cilën ekzistojnë rregulla dhe dispozita, të cilat mbrojnë investitorin.

Por, për një gjë të tillë, siç thotë Shahini, nevojitet ndihmesë.

“Në Organizatën Botërore të Tregtisë, Instituti për asistencë teknike na siguroi se mund t’i ofrojë Kosovës për të thithur investime, për t’u bërë pjesë e mekanizmit të OBT-së dhe shumë mekanizmave të tjerë, por edhe për të disiplinuar tregun”.

“Ne duhet të dimë të lobojmë dhe t’i thithim këto investime, këtë asistencë teknike, që shpesh, në shikim të parë, nga disa injorohet. Të gjitha këto ne mund t’i bëjmë, por pa komunikim të drejtpërdrejtë me këta mekanizma ndërkombëtarë, nuk mund t’i kemi përfitimet”,
thekson Shahini.

Bizneset kosovare, sipas tij, tashmë po përpiqen që edhe vetë të dalin në tregun e jashtëm.

“Aleanca e Biznesit po përpiqet që të gjejë mundësi të reja të komunikimit me organizatat e ndryshme simotra në tërë botën”.

“Në kuadër të kësaj, ne kemi bërë marrëveshje këto ditë me Agjencinë për promovim të investimeve dhe Agjencinë për promovim të industrisë dhe teknologjisë në Gjenevë, me mundësi që bizneset e Kosovës të komunikojnë dhe të gjejnë tregje atje, por edhe bizneset e Zvicrës në Kosovë”,
deklaron Shahini.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG