Ndërlidhjet

logo-print
Që nga mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosovën e ka njohur vetëm një shtet, me gjithë pritjet e mëdha të institucioneve se do të ketë valë të re të njohjeve.

Bisedimet me Serbinë aktualisht përbëjnë temën kryesore, për të cilën nuk flitet vetëm në Kosovë e Serbi, por edhe në qendrat vendimmarrëse.

Ligjëruesi në Fakultetin e Shkencave Politike, njëherësh anëtar i Kryesisë së Kuvendit, Ibrahim Gashi (AKR), mendon se ka qenë Serbia ajo që me mjeshtëri ka zhvendosur vëmendjen nga njohjet te bisedimet.

“Tash vetvetiu, nëse do të ketë ngecje në fillimin e këtij procesi negociues, të cilit ndoshta mund t’i dihet fillimi, por jo edhe fundi, pasi që varet se çfarë çështjesh do të jenë pjesë e këtyre bisedimeve, çfarë formati dhe sa janë palët e gatshme që të negociojnë për çështje të caktuara, rrjedhimisht ky proces negociator mund ta mbajë peng procesin e njohjeve”,
shprehet Gashi.

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e Serbisë, të ndryshuar me insistimin e Bashkimit Evropian, e cila bën thirrje për dialog, ndërsa BE-së i jep rolin e ndërmjetësit. Zyrtarët e Bashkimit Evropian po takojnë liderët e Kosovës e të Serbisë për të folur mbi modalitetet e bisedimeve.

Por, njohjet duket se nuk po zënë vend, ndërsa edhe më tej pesë vende të BE-së hezitojnë ta njohin Kosovën. Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, nuk beson se bisedimet shkaktojnë ngecje në njohje.

“Jam i prirë të mos besoj në këtë gjë, që bisedimet eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, që mund të jenë teknike apo me ndonjë nuancë tjetër, të ndikojnë në këtë gjë. Ndoshta ka efekte të tjera të proceduarve, që shtetet e caktuara kanë për njohjen e Kosovës”.

“Jam i prirë të besoj se kjo nuk do të ndodhë me ndonjë farë vrulli, por, megjithatë, njohjet do të pasojnë, sepse kishte hezitime para GJND-së, por tash ato janë zhdavaritur fare dhe nuk ka arsye të pritet”
, thekson Buja.

Analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se bisedimet edhe mund të zvarrisin njohjet. Por, nga ky fakt, sipas tij, nuk mund të iket, meqë bisedimet janë shndërruar në kusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, me rezolutën e miratuar në OKB.

“Serbia e ka ndërlidhur çështjen e respektimit të mendimit të Gjykatës me këto bisedime për çështjet, të cilat konsiderohen se janë me interes për të dyja palët. Është thënë qartë se ky është dialog nën lehtësimin e BE-së dhe si të tillë, Serbia mundohet ta paraqesë dhe ta ndërlidhë me çështjet e njohjeve, aty ku ka miq dhe aty ku ka ndikim”, nënvizon Tahiri.

Sot janë bërë dy muaj që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nxori mendimin këshillëdhënës, i cili sqaron se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare.

Ibrahim Gashi thotë se Serbia ia arriti që t’i shndërrojë bisedimet në prioritet, para se mendimi i GJND-së të japë frytet e para në favor të njohjeve.

“Çështja e negociatave Prishtinë-Beograd, në njëfarë mënyre, ka fituar një prioritet. Ka dalë si një prioritet i ri, përpara se të fillojë t’i japë efektet mendimi i GJND-së. Dhe tash, sikur euforia gradualisht është zbehur...”.

“Unë kam drojën se ajo gradualisht po shndërrohet në shqetësim, sepse rezoluta ka nxjerrë shumë dilema
”, thotë Gashi.

Por, deputeti nga partia në pushtet, Ramë Buja (PDK), thotë se këto dy procese nuk do ta pengojnë njëri-tjetrin. Sipas tij, të dyja këto duhet të zhvillohen paralelisht. Megjithatë, Buja pranon ndikimin që veprimet e Serbisë kanë në ecjen e Kosovës si shtet i pavarur.

“Serbia do të përpiqet që të rigjejë mënyra, metoda, mjeshtëri, që të pengojë gjithçka që do të shkojë në prosperitetin e Kosovës, gjë që s’ka logjikë pragmatike e as politike, sepse duke penguar Kosovën, Serbia do ta pengojë vetveten”, thekson Buja.

Aktualisht, në Nju Jork gjenden presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, të cilët po takojnë përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme, që po i vazhdon ende punimet.

Por, analisti Ramush Tahiri thotë se aktualisht, më shumë se te procesi i njohjeve, kosovarët duhet të koncentrohen në bisedimet dhe të përcaktojnë ekipet si dhe temat që do të mund të diskutoheshin me Serbinë.

Lexoni edhe këto:
Kush vendos për formatin dhe agjendën?
Paqartësi për temat e bisedimeve Kosovë-Serbi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG