Ndërlidhjet

Kermabo: Nuk po kërkojmë peshq të mëdhenj


Iv de Kermabo

Iv de Kermabo

Misioni i EULEX-it ka për qëllim të ndihmojë Kosovën në vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit dhe jo në përndjekjen e personave të caktuar, tha shefi në largim i këtij misioni, Iv de Kermabo.

Këto komente, Kermabo i bëri gjatë një konference të përbashkët me shefin e ardhshëm të EULEX-it, Ksavier De Marnak, dhe zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, pas takimit të Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit.

Gjatë dy vjetëve sa Kermabo ka qenë në krye të EULEX-it, ky mision ka kryer dhe po kryen hetime edhe ndaj disa zyrtarëve të lartë të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, nën dyshimet për korrupsion dhe krim të organizuar.

Kermabo tha se hetimet e tilla kërkojnë punë e kohë dhe se “ato nuk bëhen shumë shpejt, siç dëshiron dikush”. Sipas tij, duhet kohë për t’u vënë drejtësia në vend.

“Unë kurrë nuk kam folur për peshqit e mëdhenj. Unë nuk e di se çfarë është peshk i madh. Unë po kërkoj rezultatet e misionit. Puna ime nuk dua që të gjykohet mbi bazën e deklaratave dhe vlerësimeve, por mbi bazën e rezultateve”, tha Kermabo.

Përveç sfidave me hetimet ndaj zyrtarëve kosovarë, Kermabo përmendi si çështje të komplikuar edhe gjendjen në veri. Sipas tij, EULEX-i ka treguar sukses edhe në këtë pjesë, duke arritur rihapjen e gjykatave dhe pikave kufitare, ndonëse vetëm me staf ndërkombëtar dhe atë në numër të limituar.

Gjendja në veri u cilësua si sfidë edhe nga shefi i ardhshëm i EULEX-it, Ksavier de Marnak.

“Jam plotësisht i vetëdijshëm për pritjet, por edhe frustrimet që kanë të bëjnë me veriun”
, tha Marnak, duke shtuar se ai e di se si është gjendja atje, por tash për tash ndodhet në pozitën e vëzhguesit, pasi që nuk ka marrë ende detyrën e re në postin e të parit të EULEX-it.

Ndërkohë, bashkëkryesuesi nga pjesa vendore e Bordit për Sundim të Ligjit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se çelësi i suksesit për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë ndodhet te bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare.

Sa i përket Mitrovicës dhe pjesës veriore, Kuçi tha se atje ka disa faktorë që duhet të vihen në lëvizje për kthimin e normalitetit.

“Sa i përket veriut, natyrisht që gjendja atje nuk është e mirë. Qeveria e Kosovës e di se atje nuk sundon rendi dhe ligji, por besojmë që janë katër aktorë: e para është Qeveria e Kosovës me mekanizmat e saj, pastaj janë mekanizmat ndërkombëtarë, si: EULEX-i, KFOR-i dhe të tjerët; është popullata lokale serbe, për të cilën ne duhet të jemi atraktivë, si dhe është faktori ndërkombëtar jashtë Kosovës, mendoj në Bruksel e Uashington”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se janë pikërisht Brukseli e Uashingtoni që mund të shtojnë trysninë te Beogradi, që t’i ndalojë ndërhyrjet në veri, e që, sipas tij, do të ishin pjesë e politikave që do të sillnin normalizim në këtë pjesë.

Francezi Iv de Kermabo zhvilloi sot takimin e fundit si bashkëkryesues i Bordit për Sundim të Ligjit, pasi që ai do të zëvendësohet në postin e shefit të EULEX-it nga francezi tjetër, Ksavier de Marnak, nga data 15 tetor.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG