Ndërlidhjet

Ende pa sigurime shëndetësore


Ligji për sigurime shëndetësore nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës, përkundër kërkesave të deputetëve dhe nevojave të qytetarëve, thotë Rita Hajzeraj, anëtare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

“Tashmë e dimë se jemi shtet i pavarur dhe duhet t’i plotësojmë disa kritere për të hyrë në Bashkimin Evropian. Një ndër kushtet është edhe raporti i progresit, ku janë përmendur ligjet bazike, si ai i punës dhe i sigurimeve shëndetësore”, thotë Hajzeraj.

Arsyeja pse ky ligj nuk po miratohet, sipas Hajzerajt, është mungesa e një angazhimi serioz nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Dikujt po i konvenon moszbatimi i ligjit, sepse ne kemi shumë kompani private që bëjnë sigurime shëndetësore. Politikanët tonë shërohen në shtete të jashtme dhe i bëjnë sigurimet për vete, derisa qytetarët tjerë, që nuk janë në politikë, mbesin nën mëshirën e mungesës së këtij ligji”, thotë Hajzeraj.

Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se versioni i parë i Ligjit për sigurime shëndetësore është hartuar qysh në vitin 2004. Arsim Çavderbasha, zyrtar në këtë ministri, thotë se ky institucion ka bërë përpjekje që të përgatisë një ligj sa më pragmatik dhe të aplikueshëm.

“Ministria e Shëndetësisë e ka kryer detyrën e vet në momentin që e ka dorëzuar ligjin në Qeverinë e Kosovës. Tani pritet që ai të kalojë në Parlament, por nuk ka afat kohor përfundimtar”
, thekson Çavderbasha.

Në Kosovë ka shumë kompani private që ofrojnë sigurime shëndetësore. Njëra nga to është edhe kompania “Dukagjini”. Shkëlzen Fetiu, drejtor i sigurimit shëndetësor, thotë se në kuadër të kësaj kompanie ofrohen tri lloje të sigurimeve shëndetësore.

“Kjo kompani ofron tri paketa të sigurimit shëndetësor: ai bazë, standard dhe sigurimi ‘gold’. Me këto tri paketa, personave që dëshirojnë të sigurohen, u ofrohet në mënyrë të mjaftueshme mbulesa për shërbime mjekësore. Ata që kanë sigurimin shëndetësor, kanë një benefit, sepse sot sigurimi shëndetësor është nevojë”,
shprehet Fetiu.

Edhe qytetarët theksojnë nevojën e miratimit të Ligjit për sigurime shëndetësore.

Leonora Bajra, studente, thotë se Qeveria duhet të merret më seriozisht me këtë ligj, në mënyrë që ai të fuqizohet sa më shpejt.

“Unë nuk e kam sigurimin shëndetësor. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa sa më të shpejtë, në mënyrë që të miratohet Ligji për sigurime shëndetësore”, thotë Bajra.

Njomza Ibraj Fetiu, aktore, është e siguruar në njërën nga kompanitë private në Kosovë. Ajo mendon se është e nevojshme që çdo person të ketë sigurim shëndetësor.

“Unë e kam sigurimin shëndetësor. Mendoj se për secilin individ është shumë i rëndësishëm”
, thotë Fetiu.

Mentor Spahiu, internist, thotë se duke i marrë parasysh shpenzimet për një ekzaminim shëndetësor, sigurimi do të ishte një lehtësim shumë i madh për çdo qytetar.

“Personi, i cili ka sigurimin, shpenzimet i përballon shumë më lehtë. Janë shpenzime të mëdha dhe personi me sigurim e ka shumë më lehtë të shkojë jashtë vendit dhe të mjekohet”, thotë Spahiu.

Sidoqoftë, Ligji për sigurime shëndetësore parashikon sigurimin bazik shëndetësor për të gjithë banorët e Republikës së Kosovës.

Ligji mbështetet në kontributet që parashihen të mblidhen nga të ardhurat personale, derisa të papunët do të futen në njërën nga kategoritë e veçanta, për të cilat do të përgjigjet sektori përkatës qeveritar.
XS
SM
MD
LG