Ndërlidhjet

KiE: Të suspendohet plani për rikthimin e romëve në Kosovë


Komiteti për Migracion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i ka kërkuar qeverive evropiane që të suspendojnë planet për rikthimin e romëve në Kosovë. Sipas një komunikate të Këshillit të Evropës, kërkesa për suspendim të këtij plani bëhet me qëllim që fillimisht “të verifikohet nëse romët e kthyer do të jenë të sigurtë dhe që të kenë mundësi financiare për të jetuar.”

Pas aprovimit në Shkup të një raporti me titullin “azil kërkuesit romë në Evropë”, komiteti ka thënë se romët përballen me paqëndrueshmëri sociale me shumë pak mundësi të riintegrimit pas kthimit në vendin e tyre të origjinës si dhe me kërcënime serioze për sigurinë.”

Komiteti ka marrë si shkas për këtë deklarim paralajmërimet e vendeve si Gjermania e cila në muajin maj kishte bërë të ditur se ka vendosur që të kthejë në Kosovë një numër të konsiderueshëm të romëve, shumica e të cilëve janë të moshës nën 18 vjet.

Kosova nuk ka burime që të integrojë në mënyrë të sukseshme këta njerëz ka vlerësuar me tej komiteti duke shtuar se tre të katërtat e romëve që tashmë janë kthyer në Kosovë janë rikthyer sërish në vendet prej të cilave janë deportuar pa dëshirën e tyre.

Komunikata e Këshillit të Evropës citon zyrtarë të Komitetit për Emigracion që thonë se “rikthimi i detyrueshëm jo vetëm që po prodhon shumë vuajtje njerëzore por edhe po harxhon kot shumë burime ekonomike”.
Rekomandimet e Komitetit, që bazohen në raportin e një delegati kroat, Milorad Pupovac, tani do të dërgohen për debat në Asamble, ku të pranishëm do jenë parlamentarë të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Serbinë.
XS
SM
MD
LG