Ndërlidhjet

Obama shpall qasje të re në zhvillimin ndërkombëtar


Presidenti Barak Obama gjatë fjalimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Barak Obama gjatë fjalimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Barak Obama ka shpallur ndryshim në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara u japin ndihma zhvillimore vendeve të varfra.


Presidenti Barak Obama foli në një aktivitet të rëndësishëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku bëhej një përmbledhje e progresit drejt arritjes së Synimeve të Mileniumit - programit të Kombeve të Bashkuara që u aprovua në vitin 2000. Qëllimi i këtij plani është reduktimi i madh i varfërisë në botë, deri në vitin 2015.

Obama foli për progresin e arritur, duke vënë në pah se dhjetëra miliona fëmijë po kanë mundësi të shkollimit më të mirë. Presidenti amerikan gjithashtu tha se rastet e tuberkulozit dhe malaries kanë shënuar rënie, ndërsa tani më shumë njerëz kanë qasje në ujin e pijshëm.

Sipas presidentit Obama, qindra-miliona njerëz i kanë shpëtuar varfërisë së skajshme, mirëpo gjithmonë sipas tij, ende mbetët shumë për të bërë.

“Ne duhet të pranojmë faktin se progresi drejt qëllimeve të tjera nuk ka ardhur aq shpejt sa duhet. Progresi ende nuk ka arritur për qindra-mijëra gra çdo vit gjatë lindjes. Progresi nuk ka arritur ende për miliona fëmijë që vdesin nga agonia e ushqimit të dobët. Ky progres ende nuk është arritur as për gati një miliard njerëz, që duhet të durojnë mizorinë e urisë kronike”, tha Obama gjatë fjalimit të tij.

Për të përmirësuar politikën e ndihmës ndërkombëtare, presidenti Obama tha se Qeveria e SHBA-ve ka bërë një rishikim të programit të saj të madh të zhvillimit.

Udhëheqësi amerikan gjithashtu tha se për këtë rishikim janë konsultuar, përpos ekspertëve qeveritarë, edhe OJQ-të, sektori privat dhe disa prej partnerëve ndërkombëtarë.

Ndryshimi i parë që vjen si rezultat i këtij rishikimi është te definimi i “zhvillimit”. Nëse metoda e vjetër kishte për qëllim që të llogarisë ndihmën për zhvillim përmes parave të dhëna për ushqime dhe ilaçe, kjo duket se nuk ka ndihmuar shtetet që kanë pranuar këtë ndihmë për të kaluar nga varfëria në vende prosperuese. Kjo duhet të ndryshojë, tha presidenti amerikan, duke i ndryshuar politikat e tregtisë dhe investimit.

“Qëllimi i zhvillimit apo ajo që më së shumti duhet të bëhet tani, është krijimi i kushteve, ku asistenca nuk do të jetë më e nevojshme. Pra, ne do të kërkojmë për partnerë ata që duan të ndërtojnë kapacitetet e veta, që të ofrojnë të mira për popujt e tyre. Ne do të kërkojmë zhvillim që do të jetë i qëndrueshëm”, tha Obama.

Ndryshimi i dytë që u bë i ditur nga presidenti amerikan ishte kalimi nga varshmëria në zhvillim real. Rrethi vicioz ku shtetet e varfra mbështeten në ndihmat që vijnë nga jashtë me dekada, duhet të thyhet, tha Obama.

“Le ta ndalojmë mitin që thotë se zhvillimi është thjesht bamirësi që nuk u shërben interesave tona. Ne duhet gjithashtu të mos e pranojmë cinizmin, që thotë se disa shtete janë të dënuara që të jenë përherë të varfra. Kjo shihet se është e gabuar, pasi gjysma e shekullit të kaluar dëshmoi më shumë arritje në zhvillimin njerëzor sesa ndonjëherë në histori”, elaboroi Obama ndryshimet në politikën e ndihmave amerikane.

Gjatë këtij fjalimi, Obama nënvizoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit, fenomen ky që presidenti amerikan e cilësoi si dhunim jashtëzakonisht të madh të të drejtave njerëzore.

“Kjo është arsyeja pse ne tash kërkojmë nga kompanitë e naftës, minierave dhe gazit, që kanë kapital në SHBA, t’i bëjnë të njohura të gjitha pagesat që u bëjnë qeverive të huaja. Kjo është arsyeja pse unë kam kërkuar nga 20 shtetet më të industrializuara që të vendosin korrupsionin në agjendën e tyre dhe ta bëjnë sa më të vështirë për zyrtarët e korruptuar që t’i vjedhin paratë e popullit të tyre dhe t’ia marrin frymën zhvillimit të popullit të tyre”, tha presidenti amerikan.

SHBA-të janë kontribuuesi më i madh i OKB-së. Në vitin 2009, SHBA-të i kanë dhënë organizatës botërore 598 milionë dollarë. Megjithatë, as superfuqia e botës nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e vetme, tha Barak Obama, derisa kërkoi bashkëpunimin e të gjithë faktorëve të mundshëm. (a.h.)


XS
SM
MD
LG