Ndërlidhjet

Polemika rreth bisedimeve me Serbinë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Në Prishtinë vazhdojnë mospajtimet lidhur me gatishmërinë e shprehur të Qeverisë së Kosovës që të hyjë në bisedime me Serbinë. Përderisa Qeveria thotë se është e gatshme të hyjë menjëherë në këto bisedime, opozita sugjeron që platforma e tyre të kaloj përmes Kuvendit të Kosovës, duke i përcaktuar qartë temat, në të cilat Kosova nuk do të lëshohej në dialogun e ardhshëm me Beogradin.


Qeveria e Kosovës përsërit gatishmërinë e saj që të hyjë në bisedime me Serbinë, pavarësisht kohës se kur do të thirret takimi i parë. Opozita, ndërkaq, këshillon Qeverinë që të mos nxitojë dhe kërkon që platforma e këtyre bisedimeve të kalojë përmes Kuvendit.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se aktualisht po zhvillohen konsulta me presidentin dhe se, sipas tij, konsultime do të ketë edhe me Kuvendin.

Kuçi beson se në koordinim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të hartohet një platformë e qartë e bisedimeve, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për dialog me Serbinë.

“Kosova është gati që sot të bisedojë për raporte ndërshtetërore Kosovë – Serbi, për raportet rajonale dhe për tema që ndërlidhen me procesin e integrimeve evropiane”, thotë Kuçi.

Përderisa Qeveria shpreh gatishmërinë e parezervë për bisedime me Serbinë, opozita kërkon që të mos nxitohet në këtë drejtim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se bisedimet që dolën si produkt edhe i rezolutës së fundit për Kosovën të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, kanë për qëllim ofrimin e perspektivës evropiane për Serbinë dhe statusin special për veriun e Kosovës dhe se këto bisedime, sipas tij, nuk do t’i sjellin ndonjë dobi edhe Kosovës.

Ajo që po ndodh tash është një ofensivë e Serbisë të kërkojë nga vendet që e kanë votuar rezolutën që të mos e njohin Kosovën përderisa të zgjasin bisedimet”.

Të njëjtën kohë, Serbia ka marrë premtime për statusin e kandidatit për BE dhe për bisedime për statusin e posaçëm për veriun e Kosovës - premisa që nuk janë shumë të favorshme për Kosovën, pavarësisht asaj që dëgjojmë se rezoluta ka qenë e favorshme për Kosovën, besoj se është gabim, nuk ka qenë e favorshme”, shprehet Gjini.

Ndryshe nga deputeti Gjini, vlerëson zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi duke thënë se pala kosovare do të bisedojë si palë e barabartë me atë serbe, kurse për veriun, sipas tij, nuk do të ketë shmangie nga Kushtetuta dhe parimet e Pakos së Ahtisarit.

“Nuk ka tema të tilla të rënda që Kosova nuk mund t’i përballojë. Kosova i ka të gjitha kapacitetet që të përballet mirë në bisedime. Nuk duhet të shkojmë me dilema dhe frikë. Kështu ka pasur dilema edhe për bisedime në kohën e presidentit Ahtisari, edhe për GJND-në ka pasur dilema dhe u pa që kemi fituar në të gjithat dhe prapë do të fitojmë”, thekson Kuçi.

Përderisa ende nuk është definuar agjenda dhe temat e bisedimeve, por ka vetëm gatishmëri për të hyrë në bisedime, subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Dardanisë, sugjeron që Kuvendi i Kosovës ta miratojë një platformë që pasqyron pozicionin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulëzim Zeneli, thotë se për këtë parti politike janë të pranueshme vetëm ato bisedime që marrin dritën jeshile nga Parlamenti.

“Raportet e mira fqinjësore me Serbinë përmes një dialogu, duhet të forcohen dhe zhvillohen në nivelin e dy shteteve të pavarura e sovrane. Ndërsa, për çfarëdo varianti tjetër, me të cilin atakohet rregullimi i brendshëm i Kosovës apo sistemi kushtetues i Kosovës, për LDD-në është i papranueshëm”.

“Pra, është herët të paragjykohet për agjendën e bisedimeve, mirëpo kjo agjendë pa kaluar në Kuvendin e Kosovës, për LDD-në është e papranueshme”,
deklaron Zeneli.

Për të nisur një proces bisedimesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit, tashmë kanë dhënë shenja dakordimi në parim lidershipet e të dyja shteteve. Por, ajo që ende nuk dihet për këto bisedime, është përcaktimi i qartë i ndërmjetësimit ndërkombëtar, koha, agjenda, temat dhe niveli i përfaqësimit të dyja shteteve në këto bisedime.
XS
SM
MD
LG