Ndërlidhjet

Dy realitetet e gjykatave në veri


Në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë...
Në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë...

Gjykatësit e prokurorët e misionit evropian për sundimin e ligjit, të angazhuar në gjykatat në veri të Kosovës, shpresojnë që sa më parë të gjendet zgjidhja politike në mes të Kosovës e Serbisë, e cila do të mundësonte kthimin e gjykatësve e prokurorëve kosovarë në objektet e këtyre gjykatave. Të ndarë fizikisht në dy objekte, në dy qytete të ndryshme, gjykatësit e prokurorët e EULEX-it dhe ata kosovarë thonë se pa rifunksionalizimin e tërësishëm të gjykatave në veri, po pamundësohet sundimi i mirëfilltë i ligjit në këtë pjesë të territorit të Kosovës.



Simboli i Kombeve të Bashkuara, i cili ende shihet në rrethojën e gjykatave në veri të Kosovës, dëshmon administrimin e dikurshëm të këtyre institucioneve nga UNMIK-u, ndërsa telat gjemborë kujtojnë bojkotimin e këtyre gjykatave nga serbët protestues, që kundërshtonin shpalljen e pavarësisë së vendit.

Prania e pjesëtarëve të policisë së EULEX-it, në mbështetje të policëve kosovarë, që në hyrjen e gjykatave në Mitrovicë dëshmon natyrën e bashkëpunimit ndërmjet misionit evropian dhe autoriteteve vendore.

Një bashkëveprim i tillë, ndërkaq, nuk ekziston në mes të gjykatësve e prokurorëve të EULEX-it dhe atyre kosovarë, të angazhuar në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në atë pjesë të Kosovës.

Mungesa e një vendimi politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar për rifunksionalizimin e tërësishëm të gjykatave në veri të Kosovës, po i mban të ndarë në dysh punonjësit vendorë e ndërkombëtarë, të angazhuar në këto institucione.

Derisa në objektet e gjykatave në veri të Mitrovicës punën e tyre e vazhdojnë shtatë gjykatës, tre prokurorë, një staf vendorë prej disa vetash dhe ekipi inventar i përbërë nga tre shqiptarë e tre serbë, gjykatësit e prokurorët kosovarë janë të detyruar që me një ekip emergjent prej 50 vetash t’i ushtrojnë funksionet e tyre në një objekt në qytetin e Vushtrrisë.

Gjatë një bisede për Radion Evropa e Lirë, gjykatësit e EULEX-it flasin për telashet që shkaktohen nga mungesa e gjykatësve e prokurorëve vendorë në gjykatat në veri.

Klaus Jung, gjykatës gjerman i EULEX-it, thotë se ka zgjedhur vullnetarisht të punojë në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës dhe thekson nevojën për kthimin e gjykatësve e prokurorëve shqiptarë e serbë.

Edhe pse e cilëson të tensionuar situatën e përgjithshme në veri, atij duket se nuk i bëjnë përshtypje paralajmërimet e banorëve serbë për radikalizmin e masave në rast të kthimit të gjykatësve e prokurorëve kosovarë atje.

“Jemi të trajnuar në njëfarë mënyrë për ta evakuuar objektin pa ndonjë shtyrje. Çdokush që nuk është i gatshëm të punojë në kushte të tilla, është i lirë të zgjedhë rivendosjen në një gjykatë tjetër. Ne të gjithë jemi vullnetarisht këtu dhe jemi shumë të vetëdijshëm që nuk është ambienti i njëjtë me atë në pjesën jugore të Kosovës”, shprehet Jung.

Në mars të vitit të kaluar, misionarët evropianë kanë mbajtur seancën e parë gjyqësore në gjykatat në veri të Mitrovicës, ndërsa deri më tani kanë përmbyllur edhe 19 procese të tjera gjyqësore.

Gjykatësit e EULEX-it bëjnë të ditur se deri më tani kanë mundur të regjistrohen 5 mijë dosje gjyqësore, ndërsa kanë mbetur për t’u regjistruar dhe trajtuar edhe 10 mijë dosje të prokurorëve.

Mirëpo, Nikollai Enqif, gjykatës i EULEX-it nga Bullgaria, thotë se sundimi i plotë i ligjit në veri është i pamundshëm pa rifunksionalizimin e tërësishëm të këtyre gjykatave.

“Po si? Asnjëherë, asnjëherë, absolutisht asnjëherë! Pa të gjitha autoritetet, jo vetëm ato gjyqësore, që do të duhej ta kryenin funksionin e tyre këtu, nuk mund të flasim për zbatimin e plotë të ligjit”, thotë ai.

Në ndërtesën e gjykatës komunale dhe asaj për kundërvajtje të Vushtrrisë, punën e tyre, me sistem rotativ të angazhimit të 10-15 vetave në ditë, e zhvillojnë punonjësit vendorë të Gjykatës e Prokurorisë së Qarkut, Gjykatës e Prokurorisë Komunale dhe Gjykatës për Kundërvajtje të Mitrovicës. Në dy zyra ata trajtojnë rastet, siç thuhet, urgjente, që kryesisht kanë të bëjnë me paraburgim.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, Xhevdet Abazi, thotë se numri i vogël i gjykatësve të EULEX-it në veri nuk mund t’i trajtojë të gjitha rastet me paraburgim.

Abazi thotë se mosfunksionimi i tërësishëm i gjykatave në veri po shkakton shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.

“E keqja më e madhe është sidomos për personat që gjenden në paraburgim. Këtu duhet ta pranojmë se shkelen të gjitha të drejtat që janë të parapara me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

“Duke pasur parasysh që Kosova tani është shtet i pavarur, pritet shumë shpejt anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe atëherë dihet se kush do të japë përgjegjësi për shkeljen e kësaj konvente”
, thotë Abazi.

Pala kosovare dhe ajo serbe, deri më tani, kanë propozuar disa alternativa për gjykatësit e prokurorët potencialë vendorë, të cilët do të mund të ktheheshin në objektet e gjykatave në veri të Mitrovicës.

Megjithatë, deri tani nuk ka mundur të gjendet ndonjë zgjidhje, me të cilën do të pajtoheshin të gjitha palët e përfshira.
XS
SM
MD
LG