Ndërlidhjet

logo-print

Kosova larg standardeve ndërkombëtare


Shkolla fillore "Emin Duraku", në Prishtinë (Foto nga arkivi)

Shkolla fillore "Emin Duraku", në Prishtinë (Foto nga arkivi)

Hartuesit e raportit të publikuar të enjten mbi të drejtat e fëmijëve në fushën e arsimit në Kosovë, vlerësojnë se me gjithë arritjet e mëdha, gjendja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë është ende larg standardeve ndërkombëtare dhe nevojave të shoqërisë. Raporti thekson se varfëria e lartë në Kosovë nuk po i kursen as fëmijët dhe shumë prej tyre e shohin këtë si vështirësi për shkollimin e tyre.


Në raportin e publikuar të enjten mbi të drejtat e fëmijëve në fushën e arsimit në Kosovë, thuhet se është shënuar progres i theksuar, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë.

Halim Hyseni nga Qendra për Arsim e Kosovës vlerëson se vendi duhet të fokusohet edhe më shumë në përmirësimin e gjendjes aktuale që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve në arsim.

“Studimet e bëra, por edhe ngjarjet e përditshme tregojnë se janë disa fusha ku ka përkeqësime. Në rritje është dhuna e moshatarëve mbi moshatarë, dhuna strukturore që nënkupton atë dhunë që nuk dihet ushtruesi i dhunës siç është varfëria, cilësia jo e kënaqshme e sistemit arsimor dhe disa fenomene tjera që lidhen me strukturat. Prandaj, fokusi ynë duhet të përcaktohet në këtë fushë”, thotë Hyseni.

Shqetësuese për institucionet e Kosovës, sipas Hysenit është se duhet të paraqesin edhe ngjarjet e javës së shkuar kur një i ri është vrarë në një shkollë të mesme dhe një nxënës tjetër është futur me armë në shkollë.

“Janë këta tregues se ne duhet të krijojmë një rrjet të fuqishëm mbrojtës të mjediseve të sigurta. Po e përmendi këtë rrjet se është një punë që duhet bërë që të mos përsëritet ajo që ka ndodhur në shkolla të ndryshme të vendeve perëndimore”, thekson Hyseni.

Ndërkaq, fëmijët mendojnë se është shënuar progres në respektimin e të drejtave të tyre në arsim. Besa Gashi nxënëse e shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, shprehet e kënaqur me respektimin e të drejtave të tyre.

“Në shkollën tonë respektohet shumë të drejtat e fëmijëve, merret parasysh mendimi i tyre. Gjithë nxënësit në shkollën tonë janë të lirë të shprehin mendimin e tyre dhe mendimi ynë respektohet”, thotë Gashi,

Një përmirësim i respektimit të të drejtave të fëmijëve në fushën e arsimit vërehet edhe nëpër zonat rurale, aty ku çdo herë nga hulumtimet e bëra nga organizata të ndryshme, respektimi i të drejtave të fëmijëve ishte theksuar të jetë më i ulët.

Gazmend Tërnava, nxënës i shkollës fillorë në fshatin Lismir, komuna e Fushë Kosovës, thotë se në shkollën e tij ekziston një liri e shprehjes së pikëpamjeve të tyre.

“Në shkollën ku unë mësoj, të drejtat e fëmijëve respektohen mjaft, sepse prej vitit 2006 është formuar Grupi për të drejtat e fëmijëve. Më herët para se të mos ishte ky grup, gjendja nuk ka qenë siç është tash, ka qenë më keq”, thotë Tërnava.

Në anën tjetër, Dukagjin Popovci, hartues i raportit për të drejtat e fëmijëve në fushën e arsimit në Kosovë flet për cilësinë e arsimit në Kosovë, e cila, sipas tij, duhet të jetë e siguruar nga institucionet arsimore.

“Ne konsiderojmë se nëse fëmija ka të drejtën për arsimim, atëherë a është arsimimi cilësor apo jo, nuk duhet të jetë brengë e jona, realisht nuk është ashtu. Konventa për të drejtat e fëmijëve ia jep fëmijës të drejtën për arsimim cilësor dhe sistemi i arsimit duhet të jetë ai që duhet t’i mundësojë fëmijës ta zhvillojë personalitetin e vet”, vlerëson Popovci.

Ndryshe, vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ka hartuar Strategjinë dhe Planin Nacional të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve në Republikën e Kosovës, për periudhën 2009-2013. Me këtë mekanizëm Qeveria synon t’i arrijë standardet ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG