Ndërlidhjet

logo-print
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është takuar të mërkurën me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama.

Në komunikatën e presidencës në Prishtinë thuhet se “presidenti Obama e ka ritheksuar përkushtimin e SHBA-ve ndaj Kosovës”.

“Do të jemi me ju, do t’ju përkrahim në vazhdimësi”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan në komunikatë.

Takimi është realizuar në kuadër të pritjeve tradicionale vjetore që presidenti Obama i organizon për liderët e shteteve.

Gjatë këtij takimi, “presidenti Sejdiu e falënderoi presidentin Obama për përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-të i kanë dhënë dhe po vazhdojnë t’i japin Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Delegacioni i Kosovës, në përbërje të të cilit ishin presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka takuar dhe zëvendëssekretarin e Shtetit, Xhejms Steinberg.

"Qëndrimi amerikan mbi statusin e Kosovës nuk do të ndryshojë dhe nuk duhet të ketë paqartësi lidhur me qëndrimin amerikan se Kosova është e pavarur dhe sovrane", ka thënë me këtë rast Steinberg.

Zyra e Presidencës në Prishtinë njofton se Steinberg ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të bisedimeve për çështje praktike mes Kosovës e Serbisë, si dhe ka siguruar delegacionin e Kosovës se SHBA-të po vazhdojnë ndikimin e tyre te shumë vende për të shtuar numrin e njohjeve të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, presidenti Sejdiu ka thënë se Kosova është e përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të dhe ka çmuar lartë angazhimin e administratës amerikane për Kosovën.
XS
SM
MD
LG