Ndërlidhjet

Topi fton vendet të njohin Kosovën


Presidenti Bamir Topi
Presidenti Bamir Topi
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u bëri thirrje kryetarëve të shteteve, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta njohin atë, si mënyra e vetme për t’i kontribuar stabilitetit afatgjatë dhe paqes, jo vetëm rajonale, por edhe globale.

Ne mbështesim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të fillojë pa humbur kohë. Ne mbështesim dialogun e sinqertë e konstruktiv për zgjidhjen e çështjeve praktike, në dobi të interesave të përditshme të qytetarëve të tyre, për t’i ndihmuar ata, por edhe për të lehtësuar, pse jo, dhe për të qetësuar minoritetet përkatëse, shqiptare dhe serbe”, tha presidenti Topi.

Presidenti shqiptar foli edhe për miratimin e rezolutës mbi ligjshmërinë ndërkombëtare të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Shqipëria vlerëson se miratimi konsensual i kësaj rezolute është një hap shumë i rëndësishëm në respekt të opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të autoritetit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por edhe konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe të institucioneve të tij demokratike evropiane, të pavarësisë dhe integritetit të saj dhe së ardhmes si vend anëtar i OKB-së”,
u shpreh presidenti i Shqipërisë.

Presidenti Topi gjithashtu nënvizoi se Shqipëria po dëshmon progres drejt arritjes së Objektivave të Mijëvjeçarit në të gjitha fushat dhe treguesit e saj. Ai rikonfirmoi se integrimet evropiane janë prioritet i politikës shqiptare.

“Integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën një përparësi të politikës sonë të jashtme, ku, si rrallëherë, ka një konsensus të gjerë politik dhe social. Fundi i këtij viti premton të jetë vendimtar, pasi jemi në prag të marrjes së dy vendimeve tepër të rëndësishme: kurorëzimi me sukses i procesit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat”, tha presidenti i Shqipërisë.

Në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Topi po ashtu theksoi se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian është një proces i rëndësishëm rajonal dhe i pandashëm nga integrimi i plotë i rajonit”.
XS
SM
MD
LG