Ndërlidhjet

Obama kërkon unitet rreth procesit të paqes në Lindjen e Mesme


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, u ka bërë thirrje liderëve të botës që të unifikohen rreth procesit paqësor izraelito-palestinez dhe të përkrahin krijimin e shtetit të pavarur palestinez. Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Obama ka kërkuar nga shtetet që kanë ofruar përkrahje për palestinezët, që t’iu përmbahen obligimeve të tyre rreth “përkrahjes financiare e politike” dhe të “ndalojnë tentativat për të shkatërruar Izraelin”.



Ndihma e kërkuar prej liderëve botërorë për ndërtimin e shtetit palestinez, i cili do të bashkekzistonte me Izraelin, ka karakterizuar fjalimin e Obamës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kjo thirrje u bë pasi Uashingtoni po mundohet t’i mbajë në vijë të drejtë bisedimet e nisura mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Bisedimet duhet të vazhdojnë derisa të kompletohen. Tani është koha për palët që të ndihmojnë njëra-tjetrën që të tejkalohen pengesat. Tani është koha që të ndërtohet besimi dhe të ofrohet për progres substancial... Tani është koha që të shfrytëzohet mundësia”, tha Obama në OKB.

Obama kërkoi nga liderët e botës që t’iu rezistojnë “kundërshtarëve në të dyja anët” që duan të shkatërrojnë procesin me “fjalë të hidhura dhe me bomba”.

Të gjitha palët e përfshira janë pajtuar që bisedimeve të nisura t’iu japin një vit kohë. Nëse pas një viti nuk do ketë marrëveshje, atëherë edhe presidenti amerikan e pranon se e ardhmja për Izraelin dhe palestinezët do të jetë e zymtë.

“Nëse nuk arrihet marrëveshje, palestinezët kurrë nuk do të dinë krenarinë dhe dinjitetin që krijohet me shtetin e tyre. Izraelitët nuk do të dinë kurrë sigurinë që vjen së bashku me shtetet fqinje stabile dhe sovrane, të cilat janë të përkushtuara për bashkekzistencë”.

“Më shumë gjak do të derdhët ndërsa Toka e Shenjtë do të mbetët simbol i dallimeve tona, në vend që të bëhet vend i humanizmit tonë të përbashkët. Unë refuzoj ta pranoj këtë gjë”,
tha Obama.

Presidenti amerikan kujtoi edhe një herë se SHBA-të janë një aleat i Izraelit dhe se të gjithë ata që vënë në dyshim ekzistimin e Izraelit si shtet të hebrenjve, do të përballen me kundërshtimin e palëkundur të SHBA-ve.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, kërcënohet se do të heqë dorë nga bisedimet nëse Izraeli nuk e vazhdon bllokimin e ndërtimit të objekteve izraelite të banimit në Rripin e Gazës. Izraeli, në anën tjetër, refuzon të vazhdojë bllokimin e këtyre punimeve, por ka mundësi që të kufizojë disa prej tyre.

Përpos kësaj, tema tjera kyçe të këtyre bisedimeve janë edhe kufijtë e shtetit të mundshëm palestinez, statusi politik i Jerusalemit etj.

Thirrjet e presidentit amerikan vijnë pasi Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së doli me vlerësimin se intervenimi izraelit ndaj flotilies turke me ndihma humanitare për Gazën, ka qenë ilegal dhe përdorim joproporcional i dhunës.

Qeveria izraelite e ka hedhur poshtë këtë vlerësim, duke thënë se raporti është i “njëanshëm” dhe kundër Izraelit. (a.h.)
XS
SM
MD
LG