Ndërlidhjet

(Mos)suksesi i bisedimeve


Prishtinë
Prishtinë

Zyrtarët në Prishtinë parashohin proces të vështirë negociator me Serbinë, edhe pse ende nuk janë përcaktuar temat, e as formati i bisedimeve. Ndërkohë, analistët thonë se rrethanat aktuale janë në kundërshtim të një procesi të suksesshëm negociator.


Autoritetet në Prishtinë nuk shprehen shumë optimiste se bisedimet me Serbinë, për të cilat ende nuk u caktua formati, e as temat, do të kenë sukses.

Ish-kryeministri, tani ministër i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, parasheh një proces të vështirë.

“Nuk dihet se kur dhe në çfarë formati do të fillojnë dhe cilat do të jenë temat e bisedave. Unë nuk parashoh se do të jenë biseda të lehta, pavarësisht se në çfarë formati bëhen. Megjithatë, ne jemi të gatshëm që për interes të përbashkët të të dy shteteve të pavarura dhe sovrane, dhe për tema të interesit të përbashkët, të marrim pjesë”
, thotë Rexhepi.

Rezoluta e bashkë-sponsorizuar nga Serbia dhe Bashkimi Evropian, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, u bën thirrje palëve që të zhvillojnë negociata, ndërsa Bashkimit Evropian i jep rolin e lehtësuesit të bisedimeve.

Por, dy javë pas miratimit të saj, asnjë çështje nuk është zyrtarizuar në lidhje me bisedimet që thuhet se do të trajtojnë tema me interes të përbashkët. Deputeti i partisë opozitare, Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Gashi, u sugjeron institucioneve që të mos nguten në këtë, që ai e quan fazë të para-negociatave.

“Absolutisht, Kosova nuk ka nevojë që të nxitohet, që të marrë obligime se do të bisedojë, sepse unë e di se presionet do të jenë nga bashkësia ndërkombëtare në të dy palët, edhe në Beograd, edhe në Prishtinë, për t’i ulur sa më shpejt. Mirëpo, Kosova, për mendimin tim, nuk do të duhej të nxitohej. Edhe ashtu Kosova ka shumë punë për të bërë në përmbushjen e standardeve për t’u ofruar me strukturat e BE-së”.


“Ne duhet të punojmë paralelisht, që të konsolidojmë shtetin dhe me kujdes në çështjen e negociatave. Unë nuk them se duhet të iket, por edhe një herë po e potencoj se ky proces i para-negociatave, duhet të jetë në një mënyrë shumë transparent dhe përcaktues i qartë, se për çka dhe si do të bisedohet”,
shprehet Gashi.

Këtë, që Gashi e quan fazë para-negociatore, analisti politik, Arben Qirezi, e cilëson si një rrethanë që dëshmon se negociatat nuk do të kenë sukses.
Ai përmend edhe faktorë tjerë që mund të ndikojnë negativisht në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Të gjitha rrethanat janë në kundërshtim të një procesi të suksesshëm, sepse nuk ekzistojnë temat, për të cilat duhet të diskutohet. Shihet edhe konfuzioni brenda BE-së. As BE-ja nuk ka dalë me ndonjë propozim të vetin se për çka do të duhej të bisedonin palët. Kurse, SHBA-të, aktualisht janë anash këtij procesi, sigurisht mes pritjes dhe zhvillimit”.

“Në anën tjetër, edhe rrethanat politike, sidomos ato të brendshme politike në Kosovë, nuk janë shumë të favorshme për fillimin e bisedimeve, për shkak të disa proceseve aktuale brenda koalicionit, por edhe për shkak të faktit se në vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet parlamentare dhe koalicionit qeverisës nuk do t’i konvenonin bisedimet, të cilat do të hynin thellë në çështjet politike”,
vlerëson Qirezi.

Për të pasur sukses, Qirezi thotë se palët duhet të përgatiten. Dhe, kjo përgatitje, sipas tij, nuk duhet matur me muaj, por me vite. Ai nuk beson se do të ketë këtë vit bisedime, pasi, sipas tij, kërkohen muaj përgatitjesh për t’i normalizuar raportet mes dy vendeve.

“Mendoj se për bisedime, të cilat do të mund të premtonin ndonjë sukses të caktuar, do të duhej që të punohej ende edhe për një kohë afatmesme besoj diku një deri në 2 vjet, në mënyrë që palët të përgatiten për fillimin e këtyre bisedimeve”.

“Unë mendoj se asnjëra nga palët, as Kosova e as Serbia, nuk janë të gatshme për bisedime. Siç po shihet, as faktori ndërkombëtar nuk është dhe aq i gatshëm që të ndërmjetësojë apo lehtësojë një proces bisedimesh të suksesshme”,
thekson Qirezi.

Në deklaratat publike edhe liderët kosovarë edhe ata serbë shprehen pro bisedimeve. Por, vazhdon të vërehet dallimi në qasjen ndaj tyre nga ana e të dy palëve. Kosova insiston që të mos preket statusi.

Bajram Rexhepi shpjegon:

“Unë edhe një herë mund të them se mund të bisedohet vetëm për çështje teknike, por asgjë që është lidhet ose me status, ose me çështje të brendshme të Kosovës”.


Ndërkaq, deputeti opozitar, Ibrahim Gashi, tërheq vërejtjen për maturi.

“Unë mendoj që Prishtina duhet ta ketë këtë proces konsultativ dhe nuk ka nevojë që të nxitohet dhe të futet në negociata pa e ditur mirë se deri në çfarë mase është e gatshme të bisedojë për çështje të caktuara
”, potencon Gashi.

Prishtina zyrtare ka kërkuar që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë pjesë e procesit të bisedimeve me Serbinë. Por, siç nuk është caktuar agjenda e bisedimeve, ngjashëm nuk është caktuar edhe forma e ndërmjetësimit.

Kosovarët besojnë se pa praninë e SHBA-së, negociatat mund të dështojnë.
XS
SM
MD
LG