Ndërlidhjet

logo-print

Libri për mospajtimet rreth Afganistanit

  • RFE /RL

Afganistan

Afganistan

Thekset nga libri i gazetarit Bob Vodvord (Bob Woodward) me titullin “Luftërat e Obamës” shpalosin mospajtimet brenda administratës Obama, derisa presidenti, vitin e kaluar, tentonte të hartonte strategjinë e re për luftën në Afganistan.

Libri dëshmon se Obama ishte i frustruar me luftën në Afganistan. Në njërin nga takimet, sipas librit, presidenti Obama gjoja kishte thënë: ”Dua të di se si do të dalim nga Afganistani, ku është strategjia për këtë”.

Një ueb-sajt që i kushtohet politikës amerikane, Politico.com, që gjithashtu disponon kopjen e librit, ka publikuar thekse që pasqyrojnë “portretin dominues të presidentit të matur dhe të arsyeshëm, që synon të kristalizojë rrugën e mesme ndërmjet ushtrisë së kryesuar nga gjenerali Petraus, që kërkonte shtim prej 40 mijë trupash për një kohë të pacaktuar në Afganistan, dhe demokratëve të kryesuar nga zëvendëspresidenti Xho Bajden, që kërkonin kohë shtesë, por që angazhimi i trupave të ishte i kufizuar.

Aspekti më kontestues i kësaj strategjie ishte dërgimi i përforcimeve të reja në Afganistan, prej rreth 30 mijë ushtarësh, por me afat të kufizuar deri në korrikun e vitit 2011.

Një zbulim tjetër që sjell libri është pohimi për krijimin e armatës prej 3 mijë luftëtarësh afganë nga ana e CIA-s, forcë sekrete për të luftuar talibanët, dhe që kanë operuar brenda kufirit të Pakistanit. Ky zbulim mund t’i komplikojë raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Islamabadit.

Nusrellah Stanekzai, analist politik nga Universiteti i Kabulit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky zbulim mund t’i komplikojë edhe raportet ndërmjet Kabulit dhe Islamabadit.

“Nuk besoj se Qeveria afgane do të pajtohej që kjo forcë të operonte në truallin e Pakistanit. Megjithatë, duhet pritur për të parë realitetin. Nëse një forcë e tillë ekziston, jam i sigurt se Pakistani do të reagoj negativisht”,
ka thënë Sztanekzai.

Marrëdhëniet amerikano – afgane mund të sfidohen edhe për shkak të citimit në libër të raporteve të Shërbimeve Informative të SHBA-ve, që thonë se presidenti Karzai është i diagnostifikuar me depresion.

Duke shkruar në këtë temë, gazeta londineze “Tajms” (The Times) pohon se Barak Obama ka trashëguar Afganistanin dhe krizën ekonomike, dy probleme jashtëzakonisht të mëdha, por ai nuk është duke arritur të përcaktojë drejtimin e qartë.

“Presidenti amerikan do të duhet të merret seriozisht me këtë çështje, nëse nuk dëshiron që votuesit ta ndëshkojnë në zgjedhjet presidenciale pas dy vjetësh”
, konkludon Tajms.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë thotë se libri i Vodvortit dëshmon se presidenti Obama është lider i urtë dhe i vendosur. Zëdhënësi Robert Gibs pohon se lexuesit e këtij libri do ta kuptojnë insistimin e Obamës për strategji të daljes nga Afganistani si një interes i rëndësishëm kombëtar i Shteteve të Bashkuara.

Por, republikanët opozitarë në kuadër të garës për zgjedhjet për Kongres që mbahen në nëntor, kanë qenë më kritikë. Liz Çejni, vajza e ish-presidentit Dik Çejni, e ka kundërshtuar Obamën për citatin nga libri, në të cilin ai thotë se Shtetet e Bashkuara mund të “absorbojnë sulmin terrorist”.

Në këtë kontekst, analisti amerikan Ben Smith thotë se në Uashington nuk ka konsensus për pasojat politike të këtij libri.

“Mendoj se kemi të bëjmë me një betejë të ashpër që është në zhvillim e sipër, me ose pa jehonë, ku njëra palë, përkatësisht Shtëpia e Bardhë thotë se libri dëshmon angazhimin e Obamës në këtë proces politik, ndërsa kritikët pohojnë se ajo dëshmon se kjo betejë bëhet në dëm të politikës së sigurisë kombëtare”
, pohon Ben Smith.

Libri do të dalë në shitje në Shtetet e Bashkuara më 27 shtator. (m.k.)
XS
SM
MD
LG