Ndërlidhjet

FT: Zhvlerësimi i NATO-s


"Financial Times"

Kur një institucion e ka të vështirë të shpjegojë vetveten, sipas të gjitha gjasave struktura në fjalë nuk ka më arsye për të ekzistuar. NATO-ja e përcakton veten si aleanca më e suksesshme në historinë e botës. Ka më shumë se një vit që NATO-ja po punon në riformulimin e misionit. Retorika nuk është e mjaftueshme për të siguruar të ardhmen.

Me rrëzimin e Murit të Berlinit kishte nga ata që menduan se edhe NATO-ja duhej ta përfundonte misionin e të kalonte në librat e historisë. Ajo çfarë ndodhi ishte e kundërta.

Aleanca e zgjeroi anëtarësimin me ish vendet komuniste dhe shkoi në luftë në Ballkan në mbrojtje të paqes. Detyra ende nuk ka përfunduar, po gjendemi shumë afër synimit për një Evropë të bashkuar e të lirë.

Sulmet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara më 11 Shtator 2001 ofruan një mundësi për zgjerimin e rolit të Aleancës, e cila tashmë është një lloj polici global.

Nga ana tjetër, kemi një Rusi më të pasur e më agresive derisa Kina, India dhe vende të tjera kanë marrë tashmë statusin e fuqive të mëdha duke ndryshuar gjeopolitikën botërore.

NATO-ja është një institucion euro-atlantik në një botë që është gjithmonë e më shumë e zotëruar nga vendet e Paqësorit.

Më pas erdhi Afganistani, ku lufta ndaj talibanëve u cilësua si provë për NATO-n, e ku fitorja nuk kishte alternativë. Tani sfida është që Aleanca të mund të tërhiqet pa e pranuar humbjen.

Javën që vjen kreu i NATO-s do të paraqesë konceptin e ri strategjik për NATO-n, që do të diskutohet për miratim në takimin e Lisbonës. Rasmusen e ka shkurtuar listën e përparësive duke theksuar se fjalët kanë kuptim vetëm nëse janë orientuese të sakta drejt veprimeve.

Është e qartë se NATO-ja ka nevojë të modernizohet, për më tepër kur dihet se jetojmë në një epokë me më pak luftëra e me më shumë pasiguri.
Sulmet në internet ndaj Estonisë, piratët në Oqeanin Indian dhe ndërprerjet e burimeve të energjisë, janë disa nga sinjalet e pasigurive aktuale.

Ndonëse udhëheqja e Al Kaidës është goditur rëndë, islami i dhunshëm nuk është zhdukur. Po kështu do të ishte çmenduri të mendohej se Rusia nuk paraqet më kërcënim.

Por, rreziku real për Aleancën vjen nga brenda. Mosgatishmëria e shteteve për të paguar për mbrojtjen e tyre, madje në vazhdimësi vendet evropiane kanë ulur buxhetin e mbrojtjes, është një prej rreziqeve. Një tjetër rrezik është indiferenca në rritje e Uashingtonit ndaj atyre që i cilëson si aleatë jo efikas.

E vërteta është se Aleanca është kyçe për marrëdhëniet transatlantike. Derisa Shtetet e Bashkuara shikojnë drejt paqësorit dhe Evropa fsheh kokën, ka pak prova që dëshmojnë vendosmërinë e përbashkët të të dyja palëve.

NATO-ja nuk do të rrënohet, por mungesa e vullnetit politik, pavarësisht formulimeve të reja të misionit të saj, nuk mund ta mbrojnë atë nga kthimi në të pavlerë. (i.b)
XS
SM
MD
LG