Ndërlidhjet

logo-print

Sejdiu: Kushtetuesja është ngutur



Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se është informuar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk e ka marrë ende vendimin e saj. Gjykata Kushtetuese ka njoftuar mbrëmë se presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, “e ka shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës”, përkatësisht nenin 88.2.

Gjykata ka konstatuar se shkelja ka të bëjë me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është marrë me shumicë votash.

Presidenti Sejdiu gjatë një konference për shtyp në aeroportin e Prishtinës tha se e njeh mirë Kushtetutën e Kosovës duke shtuar se në Kushtetutën e Kosovës është fshirë materia e cila në mënyrë të qartë kërkon mos mbajtjen e të dy posteve.

“Unë jam njeri që respektoj institucionet dhe vendimet e tyre. Jam i ndërgjegjshëm për punën që kam bërë. E kam bërë në interes të vendit gjithmonë, gjithmonë gjthmonë”, theksoi ai.

Sejdiu shtoi se është informuar për çështjen nga mediat dhe jo nga Gjykata. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese është ngutur. Lidhur me hapat e mëtejshëm ai tha se Gjykata Kushtetuese nuk sugjeron se çfarë duhet të bëhet pas vendimit të saj.

Më 25 qershor të vitit 2010, deputeti Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë kishin iniciuar procedurën për një vlerësim të Gjykatës Kushtetutese lidhur me mbajtjen e postit të presidentit të vendit dhe kryetarit “të ngrirë” të LDK-së nga Fatmir Sejdiu.

Sipas Kushtetutës së Kosovës Parlamenti është institucioni i vetëm që mund të largojë presidentin nga detyra.

Sipas nenit 91 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti do të mund të shkarkohet nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai e ka shkelur Kushtetutën.


Neni 91 [Shkarkimi i Presidentit]

Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë, ose nëse ai/ajo nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë, ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai/ajo ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.





XS
SM
MD
LG