Ndërlidhjet

Sejdiu: Kushtetuesja është ngutur


Fatmir Sejdiu
Fatmir Sejdiu

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se është informuar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por përgjigjen do ta japë, pasi ta marrë dhe studiojë vendimin në fjalë. Gjykata Kushtetuese konstatoi se presidenti Sejdiu ka shkelur Kushtetutën duke mbajtur në të njëjtën kohë postin e presidentit dhe të kryetarit të LDK-së. Sejdiu ka thënë se Kushtetuesja është ngutur. Reagime të ndryshme kanë ardhur nga partitë politike. PDK-ja dhe LDK-ja janë treguar të matura, opozita ka kërkuar dorëheqjen e Sejdiut.


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për të cilin Gjykata Kushtetuese konstatoi se po e shkel seriozisht Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht postin e presidentit dhe të kryetarit të LDK-së, nuk e ka sqaruar pozicionin e tij pas këtij vendimi.

Sejdiu në një konferencë për gazetarë ka thënë se është njoftuar me vendimin, por nuk e ka marrë ende atë nga Gjykata për ta studiuar.

“Unë do të pres vendimin e Gjykatës dhe pastaj marr vendimin tim. Unë s’e kam marrë vendimin e Gjykatës, e as zyra ime”
, ka thënë Sejdiu në një konferencë me gazetarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Gjykata Kushtetuese njoftoi mbrëmë se presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, “e ka shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës”, përkatësisht nenin 88.2.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është marrë me shumicë votash.
Por, presidenti Sejdiu ka thënë të shtunën se ushtrimi apo mosushtrimi i funksionit, siç ka bërë ai, duke ngrirë postin e kryetarit të LDK-së, është kategori kushtetuese.

“Është shumë e nevojshme për opinionin tonë ta them se ajo normë kushtetuese që ekziston në Kushtetutën e Republikës së Kosovës është respektuar, duke pasur parasysh zhvillimin nga ideja e ndërtimit të saj deri në gjithë qasjen e mëvonshme”.

“Mosushtrimi i funksionit apo ushtrimi i funksionit, është kategori kushtetuese”
, ka thënë Sejdiu duke sqaruar se një gjë e tillë është arritur gjatë hartimit të Kushtetutës në bashkëpunim me faktorët vendorë e ndërkombëtarë.

Presidenti Sejdiu është shprehur se gjyqtarët e kushtetueses janë ngutur në marrjen e vendimit.

“Unë nuk dua t’i fajësoj, është çështje e studimit nga ana e tyre, por duhet të them diçka tjetër paralelisht. Nuk është krijuar shansi që njerëzit që kanë prezantuar çështjen e presidentit të Kosovës, të dëgjohen. Ka qenë një nguti e llojit të vet - nuk dua t’i akuzoj, mbase e ka lypur urgjenca, që të shpejtohet dhe të komunikohet në mënyrën si është komunikuar”.

“Për mua kanë qenë të mirëseardhura lajmet që kam marrë gjithmonë nga gazetat dhe mjetet e informimit dhe mjetet e caktuara të informacionit, dhe jo asnjëherë përmes përfaqësuesve të mi dhe unë drejtpërdrejt”
, ka theksuar Sejdiu.

I pyetur nëse do të japë dorëheqje, Sejdiu ka thënë se një gjë të tillë nuk e rekomandon as vendimi i Gjykatës.

“Gjykata Kushtetuese ka dhënë një mendim të vetin, Gjykata Kushtetuese nuk preferon se çfarë duhet të bëjë presidenti i vendit”
, ka potencuar Sejdiu, i cili megjithatë shprehet se do ta respektojë vendimin e institucioneve.

“Unë jam njeri që i respektoj institucionet dhe vendimet e tyre... Jam i ndërgjegjshëm për punën që kam bërë. E kam bërë në interes të vendit gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë”
, ka sqaruar Sejdiu.

Deputeti i pavarur, Naim Rrustemi, i mbështetur edhe nga 31 ligjvënës tjerë pati kërkuar në muajin qershor nga Gjykata Kushtetuese që të konstatojë nëse është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës mbajtja e dy posteve nga ana e presidentit Fatmir Sejdiu.

Rrustemi i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është e pakuptimtë që Sejdiu të mbajë edhe më tej postin e presidentit.

“Do të kishte qenë nonsens një gjë e tillë, të mendosh të vazhdosh të jesh president, kur në mënyrë të vazhdueshme ke shkelur Kushtetutën”
, ka deklaruar Rrustemi.

Në anën tjetër, as Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka ndonjë qëndrim të prerë në lidhje me vendimin e Kushtetueses. Nënkryetari Lutfi Haziri ka thënë se duhet studiuar argumentet, mbi të cilat Gjykata Kushtetuese konstatoi se presidenti po shkel aktin më të lartë juridik.

“Nuk e dimë cilat janë argumentet, cilat janë faktet dhe mbi bazë të kujt është konstatuar një gjendje e tillë. Sidoqoftë, ne do të reagojmë shumë shpejt pasi që ta kemi dokumentin në dorë, në këtë rast vendimin e Gjykatës Kushtetuese”,
është shprehur Haziri.

Sipas nenit 91 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti do të mund të shkarkohet me 2 të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai e ka shkelur Kushtetutën.

Iniciatori i rastit Sejdiu në Kushtetutë, deputeti Naim Rrustemi ka thënë se nuk do të jetë ai që do ta ndërmarrë një hap të tillë, për të iniciuar edhe shkarkimin.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se së pari do të pritet vendimi i Sejdiut, e më pas Kuvendi do të ndërmarrë hapat varësisht nga zhvillimet.

Edhe Haliti ngjashëm si zyrtarët e LDK-së, ka kërkuar që të shihet nëse gjyqtarët e Kushtetueses janë mbështetur në Kushtetutë kur kanë marrë vendimin në fjalë.

“Është shqetësuese nëse është shkelje kushtetuese që një gjë të tillë kemi mundur ta përballojmë tash 2 apo 3 vjet. Por, nëse Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të imponuar politik dhe nuk është mbështetur në Kushtetutë, atëherë duhet marrë masa ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ata që e kanë ngarkuar gjykatën, duhet ta shkarkojnë”,
ka theksuar Haliti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Alencës për Ardhmërinë e Kosoëvs, Ardian Gjini, ka thënë se vendimi i Gjykatës, çfarëdo që të jetë, duhet të respektohet.

Sipas Gjinit, nëse vetë Sejdiu nuk ndërmerr hapa, atëherë i mbetet Kuvendit që të procedojë me rastin, në mënyrë që të respektohet vendimi i Gjykatës.

“Tani mendoj se në bazë të Kushtetutës, kryetari i Kuvendit do ta njoftojë seancën plenare me vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë Kuvendi duhet të marrë vendim se si do të procedojë më tutje, nëse ndërkohë presidenti nuk ndërmerr hapa që të japë dorëheqje nga njëri prej funksioneve, të paktën”
, ka deklaruar Gjini.

Ndërkohë, Zyra Civile Ndërkombëtare, që është organi, i cili mbikëqyrë zbatimin e Kushtetutës, po ashtu pret ta studiojë vendimin e Gjykatës, para se të dalë me qëndrim zyrtar.

“Ne jemi të njoftuar me deklaratën e djeshme të Gjykatës Kushtetuese. Ne presim tekstin e plotë të gjykimit dhe do ta studiojmë me kujdes”,
ka thënë zëdhënësi i ICO-s, Kai Muller Berner.

Fatmir Sejdiu është rizgjedhur president i Kosovës në fillim të vitit 2008. Zyrtarët e LDK-së, thonë se në kohën kur është emëruar, ai nuk i ka shkelur ligjet në fuqi, pasi, sipas tyre, Korniza Kushtetuese ka rregulluar mbajtjen e dy posteve.

Kushtetuta e Kosovës ka hyrë në fuqi më 15 qershor të 2008-ës.
XS
SM
MD
LG