Ndërlidhjet

logo-print

Matoshi: Fundi i karrierës politike të Sejdiut


Gjykata në Prishtinë

Gjykata në Prishtinë

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit mbajtja e postit të presidentit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Fatmir Sedjiu, është “shkelje serioze e Kushtetutës së Kosovës”, analistë politikë dhe njohës të Kushtetutës theksojnë nevojën që Sejdiu ta respektojë këtë vendim. Derisa analistët thonë se Sejdiu duhet të heqë dorë nga posti i presidentit për t’ia hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme, ekspertët juridikë vlerësojnë se ai duhet të zgjedhë njërin nga postet që mban aktualisht.



Njohës të çështjeve kushtetuese në Kosovë thonë se presidenti, njëherazi kryetar, siç thuhet, “i ngrirë” i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, duhet ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të zgjedhë njërin nga dy postet aktuale që mban.

Ata theksojnë se, sipas Kushtetutës, presidentit të Kosovës nuk i lejohet mbajtja e një posti tjetër politik.

Ekspert i çështjeve kushtetuese dhe njëri nga anëtarët e grupit për hartimin e saj, Fatmir Fehmiu, e quan të bazuar juridikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që e përcakton si “shkelës serioz” të Kushtetutës presidentin Sejdiu.

Megjithatë, ai nuk precizon se nga cili post do të duhej të jepte dorëheqje presidenti i shtetit dhe kryetari i LDK-së, Sejdiu, por tha se akti më i lartë juridik i vendit nuk njeh “poste të ngrira politike”.

“Nuk ekziston instituti i postit të ngrirë në Kushtetutë. Në qoftë se kemi një institut, të cilin e kanë shpikur përfaqësuesit, apo më mirë të themi udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, atëherë duhet të ushtrohet ose njëra ose tjetra. Kjo nënkupton që duhet të përcaktohet ose për president të Republikës ose për kryetar të partisë
”, vlerëson Fehmiu.

Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Kuvendi është institucioni i vetëm që mund ta largojë presidentin nga detyra, gjë që, ndër të tjera, mund të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai e ka shkelur Kushtetutën.

Analisti për çështje politike, Halil Matoshi, thotë se karriera politike e presidentit Sejdiu ka përfunduar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Verdikti i Gjykatës Kushtetuese është shumë meritor, sepse “post i ngrirë” e “post i shkrirë” nuk janë kategori ligjore, juridike e kushtetuese. Prandaj, ai po e politizon edhe juridiksionin e këtij vendi. mund të them lirisht se është një karrierë e përfunduar politike”,
shprehet Matoshi.

Matoshi thekson nevojën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa sugjeron që deri atëherë, rolin e presidentit të Kosovës ta ushtrojë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Duhet që të shpallen zgjedhje të reja të parakohshme dhe postin e presidentit, sipas Kushtetutës, duhet ta ushtrojë kryetari i Kuvendit që në këtë rast është zoti Jakup Krasniqi dhe ta përgatisë Kosovën për zgjedhje të reja të parakohshme të jashtëzakonshme”,
thekson Matoshi.

Mundësia e shfaqjes së një vakuumi institucional pas dorëheqjes eventuale të Sejdiut nga posti i presidentit, sipas tij, mund të evitohet duke nisur menjëherë përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme.

I pyetur se a do të duhej të mbaheshin zgjedhje të tilla brenda vitit, Matoshi theksoi:

“Jo. Qysh sot!”.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili disa herë ka thënë se e mban të “ngrirë” postin e kreut të LDK-së, në paraqitjen e tij të parë para opinionit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tha se do ta studiojë vendimin e Gjykatës për të vendosur pastaj për hapat e mëtejmë.

Sejdiu u zgjodh president i Kosovës në janar të vitit 2008. Ai pati arritur që tek në raundin e tretë të marrë 68 votat, të cilat mjaftuan për t’u rizgjedhur president i Kosovës.
XS
SM
MD
LG