Ndërlidhjet

Kthimi i fondeve ul shkallën e papunësisë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Mbi 460 milionë euro të fondit të privatizimit dhe mbi 460 milionë euro të tjera të Trustit të Kursimeve Pensionale, ende mbahen në banka jashtë Kosovës.

Ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të sindikatave në Kosovë, thonë se kthimi dhe investimi i këtij fondi në tregun kosovarë do të ndikojë në rritjen e shkallës së punësimit.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, shprehet se fondet e kosovarëve duhet të jenë në funksion të tyre, e jo të tregjeve ndërkombëtare.

Dërgimi i këtyre mjeteve jashtë vendit e ka goditur në masë të madhe ekonominë e Kosovë, vlerëson Dragusha duke shtuar se kjo çështje ka ndikuar edhe në shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë.

“Po ashtu një element që është rëndues, është edhe çështje e mjeteve të akumuluara në dy segmente, është fjala për mjetet e Trustit që gjenden jashtë në banka të ndryshme, po ashtu janë edhe mjetet nga procesi i privatizimit që gjenden në këtë formë. Këto mjete do të kishin shërbyer për zbutjen e shkallës se papunësisë, që tashmë dihet botërisht se te ne është rreth 50 qind
”, shprehet Dragusha.

Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike thonë se moskthimi i këtyre fondeve në tregun kosovar, e ka zbehur interesimin e investitorëve të huaj që të investojnë në Kosovë, investime këto që do të ndikonin drejtpërdrejt në uljen e shkallës së papunësisë.

Artan Nimani, profesor në Universitetin e Prishtinës, pohon se autoritetet kosovare, me largimin e këtyre fondeve, kanë larguar edhe investitorët potencialë.

“Vetë ne, si institucione, nuk u kemi krijuar siguri investuesve të huaj, sepse paratë tonë i kemi dërguar jashtë vendit. Ne po themi se ejani në Kosovë dhe investoni, por paratë tona i kemi dërguar jashtë vendit. Pra, qasja është gabim. Ato janë para të Kosovës”,
vlerëson Nimani.

Nimani thekson se nëse këto mjete kthehen dhe hyjnë në funksion në tregun kosovar, përfitimet do të jenë shumë të mëdha. Sipas tij, kthimi i tyre do t’i ndryshojë politikat kreditore, e që do të jenë më të favorshme për biznesin kosovar, pasi kreditë do të jepen me norma më të ulëta të interesit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka kërkuar kthimin e këtij fondi në Kosovë, por përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës, institucion ky që menaxhon me këto mjete, tashmë kanë thënë se mjetet janë investuar sipas Ligjit për BQK-në.

Por, Ali Dragusha thekson nevojën për ndryshimin dhe rregullimin e infrastrukturës ligjore, që do të mundësonte kthimin e këtij fondi në Kosovë.

“Po të ekzistonte një infrastrukturë e mirëfilltë juridike, gjegjësisht ligjore, sepse dihet se ato mjete nuk mund të kthehen në mënyrën mekanike, pa qenë të mbuluara me infrastrukturë ligjore dhe pa iu dhënë viza ligjore nga organet tona kompetente dhe të fuqizohen me ligj, atëherë ato mjete do të kishin shërbyer edhe për investime në Kosovë”,
thotë Dragusha.

Ndryshe, sipas statistikave zyrtare, vlerësohet se shkalla e papunësisë në Kosovë sillet prej 39-43 për qind, ndërsa të dhënat e disa organizatave joqeveritare tregojnë se në Kosovë, shkalla e papunësisë arrin në 60 për qind.
XS
SM
MD
LG