Ndërlidhjet

Thaçi: Çështja e presidentit, serioze


Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi (Foto nga arkivi)

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi (Foto nga arkivi)

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me postin e presidentit është çështje shumë serioze, por në Kosovë nuk do të ketë krizë institucionale, ka thënë të dielën, kryeministri Hashim Thaçi. Këto komente Thaçi i ka bërë pas kthimit nga Nju Jorku, ku ai, bashkë me presidentin Fatmir Sejdiu dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni, kishte zhvilluar një aktivitet diplomatik në shërbim të procesit të njohjeve të Kosovës.


Kryeministri Hashim Thaçi e ka cilësuar si shumë serioze çështjen e presidentit të Kosovës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se Fatmir Sejdiu ka bërë shkelje të Kushtetutës me mbajtjen e dy posteve.

Thaçi ka thënë se do të pritet edhe vendimi zyrtar i Gjykatës Kushtetuese para se të nxirren përfundimet në lidhje me efektet që mund t’i ketë ky vendim në koalicionin dhe qeverinë aktuale. Ai ka theksuar se duhet kuptuar që kemi të bëjmë me një vendim legal dhe jo një opinion politik.

Kjo është një çështje serioze. Është çështje legale dhe jo e një interpretimi politik. Ne presim vendimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do të marrim vendime e qëndrime në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe nevojat e shtetit dhe shoqërisë kosovare”, ka thënë Thaçi.

Pa dashur të paragjykojë se si do të përmbyllet kjo çështje, të cilën ai e cilësoi si serioze, Thaçi ka thënë se i siguronte qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë krizë institucionale në vend.

Sipas Thaçit, këto institucione do ta vazhdojnë punën në kryerjen e obligimeve kushtetuese - shtetërore në shërbim të qytetarëve.

“Kjo çështje është legale dhe jo politike. Ajo çka mund t’i siguroj dhe garantoj të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë, është se në Kosovë nuk do të ketë vakuum apo krizë institucionale”, ka theksuar Thaçi.

Mundësinë e krizës institucionale e ka përjashtuar edhe analisti Ilir Deda. Ai ka thënë se Kushtetuta e parasheh qartë rrugëdaljen edhe në raste të tilla kur presidenti mund të detyrohet të japë dorëheqje, apo edhe të shkarkohet nga ana e Kuvendit.

“Nuk ma merr mendja se do të ketë krizë apo vakum institucional. Kushtetuta i ka të qartë hapat që ndodhin pas dorëheqjes eventuale apo shkarkimit eventual të presidentit. Domethënë ai zëvendësohet për një kohë të caktuar nga kryetari i Kuvendit dhe pastaj zgjidhet një president i ri”, është shprehur Deda.

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mediat dhe opinioni e kanë trajtuar këtë çështje edhe në raport me bisedimet e ardhshme Kosovë – Serbi, duke parashikuar se Kosova do të dëshironte shtyrje të këtyre bisedimeve deri në konsolidimet institucionale në rast të largimit të presidentit aktual.

Analisti Ilir Deda k vlerësuar se në këtë moment, për Kosovën janë më të rëndësishme zhvillimet e brendshme, përfshirë edhe zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, sesa dialogu me Serbinë.

Qëndrim i imi edhe më herët ka qenë se ne tash, në këtë moment, nuk duhet të shkojmë e të ulemi për të dialoguar me Serbinë dhe se e gjitha varet në një mënyrë se a do të mbetet apo do të dalë LDK-ja nga Qeveria”.

“Ma merr mendja se më të rëndësishme janë proceset e brendshme në Kosovë sesa një dialog i ngutshëm me Beogradin, i cili nuk i konvenon Kosovës në këtë moment”,
ka vlerësuar Deda.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin, me të cilin konstaton se Sejdiu ka bërë shkelje me mbajtjen e dy posteve, atij të presidentit të Kosovës dhe kryetarit me funksion të ngrirë të LDK-së, pas inicimit të kësaj çështjeje nga një grup deputetësh.

Tani mbetet te Sejdiu se si do t’i përgjigjet këtij vendimi, ndërkaq nga Kuvendi është paralajmëruar menjëherë edhe inicim procedurash për shkarkimin e tij, nëse Sejdiu nuk e përfill vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG