Ndërlidhjet

Kosova (nuk) zvogëlon dëmet nga drogat


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Raporti i fundit i Asociacionit Ndërkombëtar për Zvogëlimin e Dëmeve nga Droga (IHGA), thotë se Kosovës ende i mungon legjislacioni eksplicit për zvogëlimin e dëmeve nga drogat. Kjo ka penguar edhe zbatimin e plotë të të ashtuquajturit programi për Metadon, thotë defektologu Safet Blakaj, ekspert që merret me trajtimin e keqpërdoruesve të drogave. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se njësia për Metadon tashmë është formuar, ndërkaq, së shpejti do të nxirret edhe udhëzimi administrativ lidhur me këtë çështje.


Raporti i fundit i Asociacionit Ndërkombëtar për Zvogëlimin e Dëmeve nga Droga (IHGA), i cili është publikuar rreth një muaj më parë, e vë Kosovën në rendin e shteteve të fundit që nuk kanë zbatuar programet për zvogëlimin e dëmeve nga drogat.

Sipas këtij raporti në Kosovë është duke u aplikuar vetëm programi i ndërrimit të shiringave, ndërkohë që i ashtuquajturi program i Metadonit, i cili shërben për detoksim dhe pastrim, si dhe për mbajtje, nuk aplikohet.

Gjithashtu, sipas raportit Kosova ende nuk ka një legjislacion eksplicit për zvogëlimin e dëmeve nga përdorimi i drogave. Por, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se njësitë për aplikimin e Metadonit tashmë janë krijuar.

Faik Hoti, zëdhënës i kësaj ministrie thekson se në kuadër të Strategjisë Kombëtare për luftë kundër drogave, e cila është miratuar në qershor të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë i ka përgjegjësitë e veta lidhur me programet e parandalimit të drogave dhe mjekimit të personave që kanë rënë në kontakt me drogat.

“Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare, ka formuar njësinë për Metadon, e cila fillimisht ka disa kapacitete të kufizuara, mirëpo me intencë që të rritet numri i shtretërve, në mënyrë që të akomodojë më shumë pacientë, të cilët në forma të ndryshme kanë abuzuar me drogat”.

“Përveç kësaj njësie për Metadon, në QKU, është duke u punuar që të hapen qendra të ngjashme edhe në tri vende tjera, në Prizren, Gjilan dhe gjithashtu edhe një qendër në kuadër të rajonit të Prishtinës”,
bën të ditur Hoti.

Ndërkaq, defektologu Safet Blakaj, drejtues i Qendrës mediko-psikoterapeutike “Labirint” në Prishtinë, që merret me trajtimin e keqpërdoruesve të drogave, thotë se programi, në formën se si është kërkuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zvogëlimin e Dëmeve nga Droga, nuk është duke u aplikuar.

“Neve na vjen shumë keq që ky program, tani për tani, nuk është duke u aplikuar te ne. Pritet, ndoshta së shpejti, varësisht se kur është Ministria e Shëndetësisë e gatshme që të nënshkruajë udhëzimin administrativ, lidhur me këtë program”.

“Te ne, çështja e metadonit ka mbetur si çështje ligjore, e cila as nuk është e ndaluar, e as nuk është e lejuar. Në fakt, nëpër farmacitë tona, ai gjendet si një ilaç i licencuar dhe mund të bëhet përshkrimi prej mjekëve profesionistë për këtë çështje. Por, kjo nuk është program tipik i terapisë mbajtëse me Metadon”,
thotë Blakaj.

Ndryshe, mbështetjen financiare për programin e Metadonit e ka siguruar Fondi Global. Tashmë janë siguruar mjetet që për 3 vitet e ardhshme në kuadër të programit të Metadonit, të mbështeten 540 persona që janë të ndikuar nga përdorimi i drogave.

Grupi i ekspertëve vendorë tashmë ka përgatitur udhëzimin administrativ, i cili i është dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe miratimi i tij do të nënkuptonte edhe sigurimin e legjislacioni eksplicit për zvogëlimin e dëmeve nga përdorimi i drogave.

Defektologu Blakaj thotë se miratimi i këtij udhëzimi është tejet i rëndësishëm për të plotësuar zbrazëtirat, për të cilat edhe flet raporti i Asociacionit Ndërkombëtar për Zvogëlimin e Dëmeve.

“Në fakt, është shumë e domosdoshme që nëse nënshkruhet një akt ligjor, çfarë është tash i dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, atëherë ne realizojmë dy pika, të cilat kemi mbetur pa i realizuar”.


“Legjislacioni eksplicit mbi zvogëlimin e dëmit, e po ashtu edhe programet, si terapi mbajtëse me Metadon. Prandaj, plotësohen shumë gjëra në legjislacion dhe ne, kujtdo prej ekspertëve ose njerëzve, të cilët duan të punojmë në këtë fushë, u hapet rruga ligjore që të punohet, duke u bazuar në ligjet vendore”
, sqaron Blakaj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Hoti thotë se nxjerrja e këtij udhëzimi administrativ, është çështje ditësh.

“Sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë, ajo u është përgjigjur këtyre kërkesave dhe është në finalizim e sipër dhe shumë shpejt do të kryhet edhe nxjerrja e Udhëzimit Administrativ për përdorimin e substancave psikotrope”.

“Kështu që, në këtë aspekt, ministria e ka përgjegjësi që t’u përmbahet rekomandimeve të organizatave të ndryshme dhe në këtë aspekt edhe Fondit Global, që siç dihet, ka edhe një zyrë në ndërtesën e Ministrinë e Shëndetësisë”,
thekson Hoti.

Sidoqoftë, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Hoti, thotë se legjislacioni do t’u dedikohet të dy sektorëve të shëndetësisë, sektorit publik dhe atij privat.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG