Ndërlidhjet

Përfundoi në Kosovë faza e dytë e operacionit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit për eliminimin e operatorëve ilegalë të telefonisë mobile që veprojnë në vend. Zyrtarë të ART-së thanë se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në 23 lokacione në territorin e Kosovës - përjashtuar veriun e vendit. Serbët, përmes disa protestave thuhet se kanë reaguar ndaj veprimit të ART-së, por bëhet e ditur se nuk është shënuar asnjë incident.


Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit, në bashkëpunim me njësitet speciale të Policisë së Kosovës, përfundoi të hënën operacionin për asgjësimin e stacioneve radio-komunikuese me pajisje përcjellëse të Telefonisë Mobile të Serbisë (MTS), në të gjithë Kosovën, përveç veriut të vendit.

Drejtori i ART-së, Ekrem Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se faza e dytë e operacionit ndaj operatorëve ilegalë është zhvilluar në gjithsej 23 lokacione në Kosovë.

Hoxha bëri të ditur se shkyçja e këtyre stacioneve ka ndikuar edhe në telefoninë fikse, e cila, siç tha ai, mund të riaktivizohet shumë shpejt me metoda në përputhje me kornizën ligjore.

“Këto stacione, pajisje radio-komunikuese, kanë qenë të operatorit ilegal MTS (Mobilna Telefonija Srbie) dhe në ato stacione ka pasur të integruara edhe pajisje apo linqe mikro-valore, të cilat kanë furnizuar me sinjale transmetuese edhe telefoninë fikse”
, tha Hoxha.

Kryetari i Postë-Telekomunikacionit të Serbisë në Kosovë, Rangjel Nojkiq, e quajti të nxituar politikisht aksionin e ART-së. Nojkiq tha se në Kosovë, veprojnë pa licencë edhe operatorë të vendeve të tjera, puna e të cilëve nuk pengohet.

“Duke marrë parasysh se ekzistojnë operatorë të telefonisë mobile në Kosovë edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Italia, të cilët funksionojnë pa asnjë problem dhe nuk ndërmerret asgjë për largimin e këtyre operatorëve, kjo edhe ka nxitur revoltë të madhe te serbët, pasi që u pamundësohet ushtrimi i shumë nevojave jetësore, siç është edhe thirrja e ndihmës së shpejtë, e cila punon përmes këtij rrjeti të shkyçur”,
u shpreh Nojkiq, duke shtuar se nuk ka pasur paralajmërim nga ART-ja për shkyçjen e operatorëve serbë.

Mirëpo, Hoxha mohoi ekzistimin e operatorëve të tillë ilegalë në Kosovë.

“Ne nuk jemi të informuar për operatorë të tillë në rrjetin e telefonisë fikse apo mobile”,
theksoi Hoxha.

Në prill të këtij viti, ART-ja në bashkëpunim me policinë e vendit, në kuadër të një aksioni për ndalimin e veprimtarisë ilegale të operatorëve të pa-autorizuar, kishin asgjësuar 26 nga 28 stacionet bazë të transmetuesve.

Eliminimi i operatorëve ilegalë të telefonisë mobile të Serbisë që vepronin në Kosovë, kishte nxitur protesta të serbëve lokalë në zonat e banuara me serbë në qendër të Kosovës, por edhe në veri të vendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se edhe kësaj radhe ka pasur protesta të banorëve serbë në disa zona në Kosovë. Megjithatë, sipas tij, nuk është shënuar ndonjë incident.

“Sipas informacioneve që kemi pranuar, nuk është paraqitur ndonjë incident që vlen të raportohet gjatë shkyçjeve ilegale dhe e tëra ka përfunduar diku rreth orës 11.30 pa ndonjë incident”
, deklaroi Kelani.

Ndërkohë, përfaqësues të Ministrisë Serbe për Kosovën e quajtën të dëmshëm dhe të rrezikshëm aksionin e fundit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit në Kosovë.
XS
SM
MD
LG