Ndërlidhjet

Vlerësohet dorëheqja e Sejdiut


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Institucionet vendore dhe ndërkombëtare respektojnë dorëheqjen nga posti i presidentit të Fatmir Sejdiut, ndërsa zotohen se nuk do të ketë krizë institucionale. Por, partitë opozitare vlerësojnë se Kosova do të përfshihet nga një krizë e tillë.



Institucionet vendore dhe ndërkombëtare e vlerësojnë si hap në mbrojtje të Kushtetutës dorëheqjen e të parit të vendit, Fatmir Sejdiut, nga posti i presidentit.

Pasi e falënderoi zotin Sejdiu për kontributin e tij gjatë kohës sa ishte president, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili me automatizëm bëhet ushtrues detyre i presidentit, siguroi qytetarët se nuk do të ketë krizë institucionale.

“I garantoj qytetarët e Kosovës, partitë politike, institucionet, shoqërinë civile, se nuk do të ketë vakuum institucional dhe se çdo veprim yni do të bëhet konform Kushtetutës në interes të vendit dhe të qytetarëve”.

“Garantoj se në zgjedhjen e presidentit do të ketë proces normal kushtetues. Shumë shpejt do t’i ftoj në një takim subjektet politike të Kosovës, për të përcaktuar hapat e mëtejmë të veprimit. Këto veprime do të jenë në shërbim të vendit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”
, thotë Jakup Krasniqi.

Dorëheqja e presidentit vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se zoti Sejdiu kishte shkelur seriozisht Kushtetutën duke mbajtur postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, e vlerëson aktin e Sejdiut, duke thënë se reputacioni i Kosovës është forcuar me konfirmimin e sotëm se Kushtetuta e Kosovës është e fuqishme dhe institucionet e saj e respektojnë sundimin e ligjit.

“Unë jam konsultuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe e mirëpres gatishmërinë e tij që t’i kryejë përgjegjësitë e tij sipas Kushtetutës së Kosovës. Tani u bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë aftësi të udhëheqjes në interes shtetëror dhe të sigurojnë një tranzicion të lehtë të Presidencës”
, thotë në një komunikatë për media Piter Faith.

Në anën tjetër, edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili e vlerëson si vendim institucional dhe shtetëror hapin e Sejdiut, siguron se “të gjitha vendimet e ardhshme të institucioneve të Republikës së Kosovës do të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet dhe nevojat e shtetit dhe shoqërisë sonë”.

Kryeministri, përmes një komunikate për media, thekson se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës është burimi i demokracisë së vendit dhe respektimi i saj është obligim i të gjithëve”.

Në anën tjetër, partitë opozitare njëzëri thonë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dorëheqja ka qenë e paevitueshme. Ato i bëjnë thirrje institucioneve që të mos lejojnë vakuum juridik.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se partia e tij, e cilëson si ngjarje të rëndë për shtetin e Kosovës dorëheqjen e presidentit.

“Ky veprim nuk është as i izoluar, e as i papritur, por është pjesë e një procesi tërësisht të dëmshëm dhe degradues, i cili ka filluar që nga marrëveshja e Fatmir Sejdiut me Hashim Thaçin për të krijuar një koalicion dhe qeveri të tillë. Kryeministri dhe presidenti i Kosovës e kanë shkelur Kushtetutën në mënyrë të përsëritur”,
thotë Isufi.

Isufi vlerëson se Kosova tashmë gjendet në një krizë institucionale. Një e krizë e tillë është e paevitueshme edhe sipas nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli.

“Duhet të kemi parasysh edhe krizat e mundshme institucionale se partneri i koalicionit, LDK-ja, duke u dorëhequr presidenti i dominuar nga ana e saj, mund të ketë veprime që mund të sjellin edhe krizë qeveritare”.

“Prandaj, do duhej parë edhe këtë rrezik, që vendi do të hyjë në një krizë të përgjithshme institucionale, e cila mund të eliminohet vetëm me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ato do të mund t’i zgjidhnin një mori problemesh”
, thekson Makolli.

Ndërsa, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, më shumë sesa aktin e dorëheqjes, e vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Gaxherrit, nga dorëheqja do të rrjedhin zhvillime pozitive, por edhe negative.

“Kjo është dashur të ndodhë, faktikisht nuk është dashur të shkelet Kushtetuta, por dorëheqja është dashur të ndodhë. Të shohim dhe duhet ta kalojmë edhe këtë krizë. Kalimi i krizës varet nga liderët institucionalë, por realisht nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të shpallen zgjedhjet për të kërkuar një qeveri deri në zgjedhje, qoftë teknike apo kombëtare. Ndryshe nuk mund të funksionohet”,
shprehet Gaxherri.

Rastin Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar deputeti i pavarur Naim Rrustemi i mbështetur nga 30 deputetë tjerë. Gjykata, me shumicë votash, ka konstatuar se duke mbajtur edhe postin e presidentit, edhe të kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu ka shkelur në mënyrë serioze Kushtetutën e vendit.
XS
SM
MD
LG