Ndërlidhjet

logo-print

Dorëheqja prej postit të presidentit nga ana e Fatmir Sejdiut, nuk do të prodhojë krizë institucionale dhe politike, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Kosovë. Ata thonë se ky është proces normal. Analisti Krenar Gashi vlerëson se presidenti Sejdiu me dorëheqjen e tij ka fituar pikë brenda elektoratit dhe anëtarësisë së LDK-së. Ndërkaq, analisti Shkëlzen Maliqi thekson se presidenti Sejdiu, përmes dorëheqjes, ka bërë zgjidhjen më pragmatike për të.


Dorëheqja nga posti i presidentit të Kosovës, nga ana e Fatmir Sejdiut, nuk do të prodhojë ndonjë krizë institucionale, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Kosovë.

Ata e shohin si një akt moral dorëheqjen e Sejdiut dhe si një zgjidhje pragmatike për vetë atë.

Analisti Krenar Gashi nga instituti KIPRED, thotë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se presidenti Sejdiu e ka shkelur Kushtetutën, dorëheqja e tij është mirëpritur në Kosovë.

“Është një akt moral, i cili është i mirëpritur në Kosovë, sidomos kur e kemi parasysh faktin që në Kosovë ka politikanë dhe ministra, të cilët janë nën hetime për krime të rënda e që nuk ofrojnë një dorëheqje të tillë morale. Kujtoj që Kosova nuk do të ketë ndonjë krizë institucionale, sepse Kushtetuta e parasheh qartë se çka ndodhë në mungesë të presidentit”.

“Në të njëjtën kohë, nuk parashoh ndonjë krizë të madhe politike, sidomos duke pasur parasysh faktin që partnerët e koalicionit aktual qeverisës, në marrëveshjen e tyre, PDK-ja dhe LDK-ja, e kanë të shprehur qartë që LDK-ja ta mbajë postin e presidentit”
, thotë Gashi.

Më tutje Gashi thekson se tash pritet nga Lidhja Demokratike e Kosovës që ta japë një kandidat të ri për postin e shefit të shtetit.

Ndërkaq, edhe analisti Shkëlzen Maliqi, vlerëson se dorëheqja e presidentit Sejdiu, nuk do të prodhojë krizë institucionale.

“Nuk besoj se do të ndodhë krizë institucionale, sepse gjithkund ka dorëheqje, ndryshime të qeverive. Ky është proces normal. Ka qenë një praktikë edhe me presidentin Rugova, që është ngrirë një post për ta mbajtur tjetrin. Është kjo në fazën e respektimit gjithnjë e më të madh të kushtetutshmërisë dhe ligjeve. Është një gjë normale dhe do ta zëvendësojë dikush tjetër, me një proces”
, pohon Maliqi.

Ndryshe, dorëheqja nga posti i presidentit të shtetit nga ana e Sejdiut, vjen në një kohë mjaft delikate për Lidhjen Demokratike të Kosovës, si partner në koalicionin qeverisës, parti kjo e cila tashmë ka paralajmëruar zgjedhjet e brendshme për muajin dhjetor.

Analisti Gashi vlerëson se me dorëheqjen nga posti i presidentit, Sejdiu ka përfituar pikë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Unë kujtoj që presidenti Sejdi ka fituar pikë politike brenda elektoratit të LDK-së, brenda anëtarësisë së LDK-së, me njëfarë burrërie dhe një gjest moral”.

“Gjithçka mbetet të shihet, sepse LDK-ja me të vërtetë ka nevojë për një reformë të madhe dhe unë e vlerësoj pozitivisht faktin që presidenti Sejdiu, në fakt, me dorëheqjen që tani e dha, do të mund të fokusohet dhe të veprojë më shumë përbrenda LDK-së dhe ta demokratizojë këtë parti, e cila ka probleme me demokracinë e brendshme”
, vlerëson Gashi.

Ndërsa, analisti Maliqi konsideron se përmes dorëheqjes nga posti i presidentit të Kosovës, Sejdiu ka bërë zgjidhjen, me të cilën do ta tejkalojë rrezikun nga, siç e quajti ai, damkosja.

Sipas tij, dorëheqja e Sejdiut është shans për të, që ta vazhdojë karrierën politike.

“Vetë Sejdiu, më duket se e ka bërë zgjidhjen më pragmatike për të. E pret tash edhe cikli i zgjedhjeve në LDK dhe shumë gjëra do të sqarohen aty. Edhe këto pasoja eventuale, varen se si do të shkojë procesi në vetë LDK-në dhe si do të përcaktohet kjo parti për të ardhmen, a do të shkojë në ashpërsimin e situatës, në zgjedhje të reja”.

“Unë nuk besoj se do të ndodhë kjo. Ka edhe dy muaj derisa nuk sqarohet situata në LDK. Faktori kyç, i cili do të vendosë se a do të shkohet në zgjedhje të reja ose jo, është në të vërtetë faktori ndërkombëtar”,
thekson Maliqi.



Vlerësohet dorëheqja e Sejdiut


Institucionet vendore dhe ndërkombëtare respektojnë dorëheqjen nga posti i presidentit të Fatmir Sejdiut, ndërsa zotohen se nuk do të ketë krizë institucionale. Por, partitë opozitare vlerësojnë se Kosova do të përfshihet nga një krizë e tillë.


Institucionet vendore dhe ndërkombëtare e vlerësojnë si hap në mbrojtje të Kushtetutës dorëheqjen e të parit të vendit, Fatmir Sejdiut, nga posti i presidentit.

Pasi e falënderoi zotin Sejdiu për kontributin e tij gjatë kohës sa ishte president, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili me automatizëm bëhet ushtrues detyre i presidentit, siguroi qytetarët se nuk do të ketë krizë institucionale.

“I garantoj qytetarët e Kosovës, partitë politike, institucionet, shoqërinë civile, se nuk do të ketë vakuum institucional dhe se çdo veprim yni do të bëhet konform Kushtetutës në interes të vendit dhe të qytetarëve”.

“Garantoj se në zgjedhjen e presidentit do të ketë proces normal kushtetues. Shumë shpejt do t’i ftoj në një takim subjektet politike të Kosovës, për të përcaktuar hapat e mëtejmë të veprimit. Këto veprime do të jenë në shërbim të vendit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”,
thotë Jakup Krasniqi.

Dorëheqja e presidentit vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se zoti Sejdiu kishte shkelur seriozisht Kushtetutën duke mbajtur postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, e vlerëson aktin e Sejdiut, duke thënë se reputacioni i Kosovës është forcuar me konfirmimin e sotëm se Kushtetuta e Kosovës është e fuqishme dhe institucionet e saj e respektojnë sundimin e ligjit.

“Unë jam konsultuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe e mirëpres gatishmërinë e tij që t’i kryejë përgjegjësitë e tij sipas Kushtetutës së Kosovës. Tani u bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë aftësi të udhëheqjes në interes shtetëror dhe të sigurojnë një tranzicion të lehtë të Presidencës”
, thotë në një komunikatë për media Piter Faith.

Në anën tjetër, edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili e vlerëson si vendim institucional dhe shtetëror hapin e Sejdiut, siguron se “të gjitha vendimet e ardhshme të institucioneve të Republikës së Kosovës do të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet dhe nevojat e shtetit dhe shoqërisë sonë”.

Kryeministri, përmes një komunikate për media, thekson se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës është burimi i demokracisë së vendit dhe respektimi i saj është obligim i të gjithëve”.

Në anën tjetër, partitë opozitare njëzëri thonë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dorëheqja ka qenë e paevitueshme. Ato i bëjnë thirrje institucioneve që të mos lejojnë vakuum juridik.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se partia e tij, e cilëson si ngjarje të rëndë për shtetin e Kosovës dorëheqjen e presidentit.

“Ky veprim nuk është as i izoluar, e as i papritur, por është pjesë e një procesi tërësisht të dëmshëm dhe degradues, i cili ka filluar që nga marrëveshja e Fatmir Sejdiut me Hashim Thaçin për të krijuar një koalicion dhe qeveri të tillë. Kryeministri dhe presidenti i Kosovës e kanë shkelur Kushtetutën në mënyrë të përsëritur”,
thotë Isufi.

Isufi vlerëson se Kosova tashmë gjendet në një krizë institucionale. Një e krizë e tillë është e paevitueshme edhe sipas nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli.

“Duhet të kemi parasysh edhe krizat e mundshme institucionale se partneri i koalicionit, LDK-ja, duke u dorëhequr presidenti i dominuar nga ana e saj, mund të ketë veprime që mund të sjellin edhe krizë qeveritare”.

“Prandaj, do duhej parë edhe këtë rrezik, që vendi do të hyjë në një krizë të përgjithshme institucionale, e cila mund të eliminohet vetëm me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ato do të mund t’i zgjidhnin një mori problemesh”
, thekson Makolli.

Ndërsa, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, më shumë sesa aktin e dorëheqjes, e vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Gaxherrit, nga dorëheqja do të rrjedhin zhvillime pozitive, por edhe negative.

“Kjo është dashur të ndodhë, faktikisht nuk është dashur të shkelet Kushtetuta, por dorëheqja është dashur të ndodhë. Të shohim dhe duhet ta kalojmë edhe këtë krizë. Kalimi i krizës varet nga liderët institucionalë, por realisht nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të shpallen zgjedhjet për të kërkuar një qeveri deri në zgjedhje, qoftë teknike apo kombëtare. Ndryshe nuk mund të funksionohet”
, shprehet Gaxherri.

Rastin Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar deputeti i pavarur Naim Rrustemi i mbështetur nga 30 deputetë tjerë. Gjykata, me shumicë votash, ka konstatuar se duke mbajtur edhe postin e presidentit, edhe të kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu ka shkelur në mënyrë serioze Kushtetutën e vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG