Ndërlidhjet

AI: Ndalni kthimin e dhunshëm të romëve në Kosovë


Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesti Intërneshenel (Amnesty International - AI) ka kërkuar nga vendet e Evropës perëndimore që të ndalin kthimin e dhunshëm të romëve në Kosovë.

Në raportin që mban titullin, “Nuk mirëpriten askund: Jepini fund kthimit të detureshëm të romëve në Kosovë”, organizata tërheqë vërejtjen se si “romët dhe pjesëtarë të komuniteteve tjera pakicë, përfshirë këtu edhe fëmijë, dëbohen për në Kosovë, shpesh pa asgjë më vete, përveç rrobave që kanë në trup, për t’u përballur me diskriminimin dhe dhunën e vazhdueshme”.

“Vendet e Bashkimit Evropian rrezikojnë të shkelin ligjet ndërkombëtare, duke i dërguar njerëzit në vendet ku u kanoset abuzimi apo ndonjë dëmtim tjetër serioz. Në vend të kësaj, Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të ofrojë mbrojtje ndërkombëtare për romët dhe pakicat tjera në Kosovë, derisa të mund të kthehen të sigurt”, citohet të ketë thënë Sian Jones, eksperte e Amnesty International për Kosovën.

“Autoritetet në Kosovë gjithashtu duhettë sigurojnë që romët dhe pakicat tjera të mund të kthehen në baza vullnetare dhe të reintegrohen lirshëm në shoqëri”, ka thënë ajo.

AI në vazhdim pohon se mijëra romë, që viteve të 90-ta kishin ikur nga lufta dhe përndjekja, janë kthyer në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Shumë nga romët e kthyer, thuhet në raport, kanë lindur në botën e jashtme dhe vetëm një numër i vogël i tyre flet shqip, tash gjuha kryesore në Kosovë.

XS
SM
MD
LG