Ndërlidhjet

A ka dështuar privatizimi në Kosovë?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pritjet e mëdha të kosovarëve se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore do të sjellë zhvillim ekonomik dhe zbutje të gjendjes së vështirë ekonomike, nuk janë realizuar. Analistë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të biznesit në Kosovë, thonë se arsyeja themelore e mosrealizimit të këtyre pritjeve, ka qenë mungesa e investitorëve të huaj në këtë proces. Sidoqoftë, përfaqësues të institucionit që bëjnë privatizimin, këtë proces e konsiderojnë mjaft të efektshëm.


Kosova e filloi privatizimin e përgjithshëm të ndërmarrjeve shoqërore në vitin 2002, në kohën kur vendet e rajonit e kishin përfunduar këtë proces.

Që nga ai vit, janë privatizuar rreth 587 ndërmarrje, prej tyre disa janë treguar të suksesshme, por ka edhe prej atyre, të cilat nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të biznesit në Kosovë vlerësojnë se ndërmarrjet e privatizuara, vazhdimisht janë ballafaquar me një ambienti të pafavorshme biznesor.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë se ky ambient jo i mirë ka bërë që të mungojnë rezultatet e privatizimit.

“Privatizimi në Kosovë - mungojnë rezultatet për shkak të investimeve nga jashtë. Nuk mund ta quaj të pasuksesshëm, pasi që disa ndërmarrje janë transferuar - kanë kaluar në sektor privat, aty kemi investime. Po ashtu është rritur numri i të punësuarve në këto ndërmarrje, është rritur efikasiteti dhe efekti në ekonomi tani vërehet”
, thotë Musa.

Edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, vlerëson se në përgjithësi rezultatet e privatizimit janë më të vogla sesa që janë pritur, madje në disa raste konsiderohet edhe dështim, siç është rasti i spin off-eve speciale.

Tahiri thotë se është dashur të bëhet një privatizim i ndërmarrjeve shoqërore, por jo i formës së tillë siç ka ndodhur deri tani.

“Dy gabime të mëdha janë bërë në Kosovë, privatizimi joreal, pasi është dashur të jepet një vlerë e caktuar për të shitur një pasuri të patundshme të Kosovës, p.sh, nëse shitet një tokë, duhet të jepet vlera e caktuar, që nën kuadrin e asaj nuk bën të jepet”.

“E dyta, të mblidhen të gjitha mjetet financiare të grumbulluara nga privatizimi dhe të ndahen në mënyrë të njëjtë për të gjithë ata që kanë punuar”
, shprehet Tahiri.

Ndërkaq, përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, këtë proces të shitjes së ndërmarrjeve shoqërore të filluar që nga viti 2002, e quajnë të suksesshëm dhe mjaft sfidues

Dino Asanaj, udhëheqës i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, shpjegon:

“Natyrisht se gjatë kësaj periudhe kemi hasur edhe në sfida dhe ngecje, të cilat janë të paevitueshme, por ne mbetemi të përkushtuar në qëllimet e agjencisë që të vazhdojmë t’i evitojmë pengesat dhe të kontribuojmë në forcimin e ekonomisë kosovare
”.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve arsyeja kryesore e mungesës së rezultateve më të mira të procesit të privatizimit në Kosovë ka qenë mungesa e investitorëve të huaj, japin më shumë hollësi rreth kësaj çështjeje.

Lekë Musa shprehet:

“Arsyeja themelore pse kemi mungesë të investitorëve të huaj në Kosovë është ambienti i përgjithshëm ekonomik dhe kjo ka rezultuar në mungesën e interesit. Mirëpo mendoj se ne kemi pasur ambicie më shumë se sa që e kemi gjendjen faktike në terren dhe në ndërmarrjet, të cilat janë privatizuar, asetet e tyre nuk kanë qenë shumë të leverdishme”.

“Ato kanë qenë të amortizuara, të shfrytëzuara. Shumica e këtyre ndërmarrjeve i kanë humbur tregjet në vendet evropiane apo në vendet tjera dhe ajo çka është shitur në këto ndërmarrje, ka qenë objekti ”.


Problem kyç i AKP-së në këtë proces vazhdon të mbetet privatizimi i ndërmarrjeve në enklavat serbe, në veçanti ai i kompleksit turistik Brezovica në komunën e Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

AKP-ja kishte dështuar në vazhdimësi për privatizimin e këtij kompleksi turistik, i cili konsiderohet të jetë njëri ndër komplekset më atraktive në Ballkan.

Dino Asanaj, udhëheqës i Bordit të AKP-së, tregon për strategjinë që kanë për privatizimin e kësaj ndërmarrje.

“Strategjinë që e kemi pasur që nga fillimi është që duhet të bëhet master-plani për Brezovicën. Ne kemi bashkëpunuar me Komisionin Evropian dhe kemi ardhur deri në atë se faza e parë e master-planit për Brezovicën ka përfunduar dhe tani shkon te faza e dytë, që do të thotë të bëhet përgatitja e materialeve në bashkëpunim me komunën dhe institucionet tjera për organizimin e një konference ndërkombëtar për investime në rajonin e Brezovicës”
, thekson Asanaj.

Një tjetër çështje me rëndësi, me të cilën përballet AKP-ja, ka të bëjë me pronat/asetet e ndërmarrjeve shoqërore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe shndërrimin e këtyre pronave nga persona të paautorizuar, sidomos prona/asete në Mal të Zi dhe Serbi.

Po ashtu problematike mbetet edhe çështja e kthimit të mjeteve të privatizimit në Kosovë.
XS
SM
MD
LG