Ndërlidhjet

Veriu, përkohësisht “imun” ndaj ART-së?


Mitrovicë
Mitrovicë
Pas përfundimit të fazës së dytë të asgjësimit të operatorëve ilegalë të telefonisë mobile në Kosovë, përfaqësues të Postë-Telekomunikacionit të Serbisë në vend, thonë se Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit në Kosovë do ta ketë të pamundur t’i shkyçë operatorët e telefonisë serbe në pjesën veriore të Kosovës. Në ART, ndërkaq, theksojnë se kur të jenë pjekur kushtet, projekti për elimiminin e operatorëve ilegalë do të zbatohet edhe në veri.


Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit në Kosovë shpreh vendosmërinë për t’i shkyçur operatorët ilegalë të shërbimeve telekomunikuese edhe në veri të Kosovës.

Megjithatë, zyrtarë të ART-së thonë se procesi i eliminimit të operatorëve ilegalë, faza e dytë e të cilit përfundoi ditë më parë, nuk pritet të bëhet në veri në një të ardhme të afërt, për shkaqe sigurie dhe në mungesë të vlerësimeve të hollësishme teknike mbi ekzistimin e stacioneve të vendosura në këtë pjesë të Kosovës.

Drejtori i ART-së, Ekrem Hoxha, thotë se rrethanat aktuale në veri kërkojnë që çdo veprim eventual i ART-së në atë pjesë të Kosovës, të realizohet vetëm në bashkëpunim me autoritetet vendore e ndërkombëtare të sigurisë.

“Për pjesën veriore, ART-së do t'i duhet kohë e mëtutjeshme të bëjë vlerësime teknike mbi stacionet e vendosura në atë pjesë dhe në bashkërenditje me faktorin ndërkombëtar dhe institucionet e sigurisë, do t’i ndërmarrë veprimet në kohën e duhur”,
thotë Hoxha.

Mirëpo, kryetari i Postë-Telekomunikacionit të Serbisë në Kosovë, Rangjel Nojkiq, thotë se Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit në Kosovë do ta ketë të pamundur ta shtrijë projektin për eliminimin e operatorëve ilegalë edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Nojkiq shpreh bindjen se banorët serbë të veriut e gëzojnë mbështetjen e misionit evropian për sundimin e ligjit, kur bëhet fjalë për antenat e operatorëve serbë në këtë pjesë të Kosovës.

“Më duket se është e pamundur, duke pasur parasysh që përfaqësuesit e policisë së EULEX-it kanë thënë publikisht se në veri nuk do të ketë shkyçje të operatorëve dhe kjo qartë tregon se është dhënë një mbështetje që popullata të mund t’i mbrojë këto antena. Mendoj se do të jetë shumë e vështirë që kjo ide të realizohet”
, thekson Nojkiq.

Serbët e Kosovës kishin kundërshtuar, qysh në muajin prill, nisjen e operacioneve të ART-së për asgjësimin e operatorëve ilegalë të telefonisë mobile në Kosovë, përmes një varg protestash. Beogradi zyrtar e cilëson si provokim operacionin e fundit i ART-së.

Ndërkohë, të martën mbrëma në veri të Mitrovicës ndodhi një shpërthim në çatinë e një ndërtese, në të cilën ka qenë e vendosur një antenë e një operatori kosovar të telefonisë mobile.

Policia e Kosovës nuk përjashton mundësinë që motiv i këtij incidenti të ketë qenë realizimi i operacionit për asgjësimin e stacioneve radio-komunikuese të telefonisë mobile të Serbisë (MTS), në pjesën qendrore të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, konfirmon gatishmërinë e policisë kosovare për të reaguar në rast të përshkallëzimit të situatës, por mohon që pas këtij incidenti të jenë shtuar masat e sigurisë në pjesën veriore të qytetit.

“Kjo, sigurisht, nuk kërkon rritjen e masave të veçanta, sepse nuk jemi përgjegjës për rritjen e sigurisë rreth antenës. Praktikisht është një çështje, të cilën duhet bërë bashkërisht. Çdo veprim i ART-së sigurisht që nuk kërkon vetëm veprimin e Policisë së Kosovës, por duhet të jetë pjesë e procesit, duke mos anashkaluar EULEX-in”
, deklaron Hoti.

Faza e dytë e operacionit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit për eliminimin e operatorëve ilegalë të telefonisë mobile që veprojnë në vend, ishte zhvilluar në 23 lokacione të ndryshme në të gjithë Kosovën, përjashtuar veriun.
XS
SM
MD
LG