Ndërlidhjet

Fleksibilë ndaj vizitave të zyrtarëve serbë


Presidenti serb, Boris Tadiq, në njërën nga vizitat në Kosovë më 17 prill 2009.

Presidenti serb, Boris Tadiq, në njërën nga vizitat në Kosovë më 17 prill 2009.

Qeveria e Kosovës do të tregohet fleksibile lidhur me vizitat e zyrtarëve serbë në ceremoninë e inaugurimit të patrikut Irinej, që mbahet të dielën në Patrikanën e Pejës. Ende nuk është bërë publike lista e zyrtarëve nga Beogradi. Autoritetet e sigurisë thonë se janë përgatitur mirë për këtë ngjarje. Ndërkaq, KFOR-i pret që ceremonia të kaloje qetë dhe në kuadër të kornizave fetare.


Autoritetet kosovare nuk do ta pengojnë hyrjen e zyrtarëve serbë në ceremoninë e inaugurimit të patrikut Irinej në Patrikanën e Pejës.
Ende nuk është bërë publike lista e atyre zyrtarëve që do të vijnë të dielën në Kosovë.

Autoritetet kosovare thonë se përmes ambasadorit grek në Kosovë janë në bisedime me Beogradin për aranzhimin e vizitave të zyrtarëve serbë.

Ndërkohë, kërkesa për të vizituar Kosovën janë bërë nga zyrtarët serbë në Zyrën e Përfaqësuesit të BE-së në Beograd, por nuk janë dhënë detaje se kush ka bërë kërkesa të tilla.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë për Radion Evropa e Lirë se, meqë është ceremoni fetare, Qeveria e Kosovës do të jetë fleksibile.

“Ne do t’i bëjmë të gjitha përgatitjet e duhura si Qeveri, që manifestimi me karakter religjioz të tillë, çfarë edhe e trajtojmë ne, të shkojë në mënyrën më të mirë të duhur. Në këtë drejtim, jemi në kompetencë të plotë të Policisë së Kosovës, por njëkohësisht në koordinim me EULEX-in dhe me KFOR-in”.

“Natyrisht, jemi në bisedime edhe me Qeverinë e Serbisë, përmes ambasadorit grek që është këtu, për mundësinë e vizitës së ndonjë zyrtari të lartë serb në Kosovë. Në vizitat e karakterit religjioz, ne do të jemi fleksibilë”,
thotë Kuçi.

Të dielën në Patrikanën e Pejës, patriku Irinej do të zhvillojë ceremoninë e tretë, pas dy të njëjtave të zhvilluara në janar në Beograd, kur edhe ka marrë detyrën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe.

Por, kjo është hera e parë, që një ceremoni e tillë mbahet në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë.

Autoritetet kosovare disa herë kanë ndaluar hyrjen e ministrave serbë në Kosovë, në rastet kur nuk kanë kërkuar lejen për vizitë. Por, është edhe vetë Plani Ahtisari që lejon vizitat e karakterit fetar. Zëvendëskryeministri Kuçi konfirmon se qëndrimi mbi vizitat politike nuk ka ndryshuar.

“Në kuptimin e vizitave politike jo (nuk do të lejohen), por në kuptimin e vizitave me karakter religjioz, do t’i shqyrtojmë edhe në institucionet vendore, por edhe me faktorin ndërkombëtar”
, sqaron Kuçi.

Në anën tjetër, përfaqësues të KFOR-it thonë se siguria do të jetë në nivel në ditën e ceremonisë.

“Ne po punojmë me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, në njërën anë, dhe me Kishën Ortodokse dhe me autoritetet politike, në anën tjetër. Kështu që mendoj se jemi të përgatitur mirë. Masat finale do të merren ndërkohë”.

“Por, mendoj se për këtë ngjarje shumë të rëndësishme gjithçka është përgatitur shumë mirë. Ne presim që kjo ngjarje të ndodhë në një mënyrë të qetë dhe paqësore brenda kornizës së ceremonisë, me të gjitha masat e ndërmarra sa i përket sigurisë”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter.

Edhe pse nuk ka informacione të sakta, është thënë se nën organizimin e Kishës Ortodokse do të vijë edhe një numër i qytetarëve nga Serbia për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit në Patrikanën e Pejës.

Zëvendëskryeministri Kuçi siguron se qytetarët serbë do të jenë të lirë të vizitojnë Pejën.

“Ne, për qytetarët e rëndomtë do të jemi të kujdesshëm, ata do të kenë mundësi që, sipas kontrolleve dhe procedurave të parapara, të vijnë në vendin tonë. Natyrisht, ne do të ofrojmë sigurinë e duhur dhe mundësinë që ata të qarkullojnë lirshëm dhe t’i kryejnë ceremonitë fetare”
, thekson Kuçi.

Autoritetet kosovare thonë se kanë hartuar një plan të detajuar me Policinë e Kosovës, me EULEX-in e KFOR-in për implementimin dhe garantimin e plotë të sigurisë për secilin individ dhe qytetar që e ka lejen që të vijë në Kosovë.

Ndryshe, kjo ceremoni fetare që mbahet më tre tetor, fillimisht qe planifikuar të mbahet në muajin prill, por ka qenë vetë Kisha Ortodokse Serbe ajo që e ka shtyrë mbajtjen e saj.

Kisha Ortodokse Serbe nuk komunikon drejtpërdrejt me institucionet e Kosovës. Për këtë arsye tash një kohë, është ambasadori grek në Kosovë ai që ndërmjetëson në mes të autoriteteve kosovare dhe Kishës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG