Ndërlidhjet

Thaçi: Mund të jemi ende partnerë


Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e përjashtoi mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, edhe pas dorëheqjes nga posti i presidentit të Fatmir Sejdiut. Ndërkohë, nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, tha se nëse partitë nuk gjejnë një zgjidhje, atëherë Kushtetuta parasheh zgjedhje të parakohshme.


Krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë duke i vazhduar konsultimet në lidhje me kapërcimin e gjendjes politike të krijuar pas dorëheqjes nga posti i presidentit të Fatmir Sejdiut.

Kryeministri Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i PDK-së, falënderoi të mërkurën Sejdiun si partner koalicioni, duke mos e përjashtuar mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit.

Thaçi tha se po zhvillon takime konsultative me Sejdiun për të gjetur zgjidhje pas situatës së krijuar.

“Do të vazhdojmë të punojmë si partnerë në konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë në procesin e integrues dhe vendimmarrës për proceset e ardhshme, të cilat janë jetike për konsolidimin e rendit demokratik, të parimeve demokratike
”, theksoi Thaçi.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës tha se gjendja është mjaft komplekse dhe po shqyrtohet me kujdes. Nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, tha se pavarësisht zgjedhjeve në këtë parti politike, LDK-ja duhet të gjejë edhe një zgjidhje që të mos lejohet vakumi institucional.

Nëse mungon marrëveshja politike ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, si partnere në Qeveri, Kryeziu nuk e përjashtoi as mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

“Në qoftë se partitë politike nuk bëjnë një ujdi, atëherë Kushtetuta e ka këtë solucion (zgjedhjet e parakohshme), e unë nuk mund ta them tash a do të bëjnë ujdi partitë politike, apo jo”,
tha Kryeziu.

Ndërsa po shtohet si opsion çështja e zgjedhjeve të parakohshme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se në asnjë mënyrë gjatë këtij viti nuk do të duhej shpallur këto zgjedhje.

Sipas nënkryetarit të parë të AAK-së, Blerim Shala, dalja nga situata e tashme mund të jetë propozimi i një emri të ri për president nga ana e LDK-së.

Shala nuk e përjashtoi as mundësinë që AAK-ja ta mbështesë në Kuvend kandidatin e ri për president nga LDK-ja, vetëm që vendi të mos shkojë në zgjedhje të ngutshme, të cilat, sipas tij, do t’i dëmtonin rëndë demokracinë dhe proceset aktuale politike.

“Presidenti i vendit, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është figurë unifikuese e gjithë shtetit të Kosovës. Le të provojmë dhe t’ia japim shansin LDK-së që të ofrojë një solucion, që po supozoj ndoshta do të ishte i pranueshëm për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës”
, theksoi Shala.

Sidoqoftë, që nga dorëheqja e Sejdiut, kreu i PDK-së dhe ai i LDK-së, kanë zhvilluar konsultime edhe me përfaqësues diplomatikë të vendeve të Kuintit dhe besohet se çdo marrëveshje që do të mund të arrihet për tejkalimin e gjendjes, për palën kosovare do të jetë e rëndësishme që të sigurohet edhe një mbështetje ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG