Ndërlidhjet

Britani: Statusi i Kosovës i mbyllur, por dialogu duhet të filloj


Ambasadori britanik në Serbi, Stiven Vordsvorth, deklaroi se për Britaninë statusi i Kosovës është i mbyllur, por Beogradi dhe Prishtina duhet ta fillojnë dialogun.

“Qëndrimi i Britanisë së Madhe është se kjo çështje, në kuptimin e statusit të Kosovës, është mbyllur dhe duhet të gjendet mënyrë, që mospajtimet tona për këtë çështje të lehen anash”, i tha ambasadori Vordsvorth së përditshmes beogradase Veçernje Novosti.

Ai mëtutje theksoi se “është e nevojshme që të fokusohemi në gjërat, që mund ta përmirësojnë jetën e njerëzve në Kosovë”.

Zoti Vordsvorth tha se fillimi i bisedimeve Beograd – Prrishtinë, nuk është kusht i fuqishëm për dërgimin e aplikimit të Serbisë për në Komisionin Evropian.

“Pas miratimit të rezolutës së përbashkët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shumica e ministrave të BE-së, tash mendon se është koha që të bëhet hapi tjetër në rrugën e integrimit të Serbisë dhe pres që kjo të ndodhë shumë shpejtë”, tha Vordsvorth, duke shtuar se “poashtu besojmë se do të ishte e dobishme, që dialogu të filloj sa më shpejtë”.

Ai tha se nuk është kusht i Brukselit, që fillimin e dialogut, në mënyrë simbolike, ta shënoj mbledhja ndërmjet presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
XS
SM
MD
LG