Ndërlidhjet

Clinton inkurajon zgjidhjen e problemeve


Hillary Clinton
Hillary Clinton
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se Shtetet e Bashkuara “i mirëpresin përpjekjet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën në zgjidhjen e çështjeve praktike ndërmjet tyre”.

Këto komente, ajo i bëri gjatë konferencës për shtyp në Uashington, së bashku me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kethrin Ashton.

Zonja Clinton theksoi se brenda 10 ditësh, ajo do ta vizitojë rajonin dhe me zonjën Ashton u diskutua, deri në një masë, “se si ne do ta forcojmë bashkpunimin tonë, jo vetëm në këtë nivel, por edhe në terren”.

Agjencitë e lajmeve në Uashington raportojnë se zonja Clinton ka thënë se “do ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën”, me ç’rast do t’i inkurajojë të dyja palët që t’i zgjidhin dallimet në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja.

Shefja e politikës së jashtme e BE-së, Kethrin Ashton, theksoi se “dëshirojmë të shohim lëvizje përpara me Serbinë dhe Kosovën”.

Sipas saj, “rëndësia e asaj që bëri presidenti Tadiq me rezolutën dhe çka bëri kryeministri Thaçi për ta mbështetur atë, është mirë e njohur nga SHBA-të dhe nga BE-ja, dhe kjo është shumë e rëndësishme, si rrugë për ta kaluar në të ardhmen”.

Në takimin e tyre, Hillary Clinton dhe Kethrin Ashton diskutuan edhe për çështje të tjera aktuale.


Wordsworth: Dialogu duhet të fillojë

Ambasadori britanik në Serbi, Stephen Wordsworth, deklaroi se për Britaninë, statusi i Kosovës është i mbyllur, por Beogradi dhe Prishtina duhet të fillojnë dialogun.

“Qëndrimi i Britanisë së Madhe është se kjo çështje, në kuptimin e statusit të Kosovës, është mbyllur dhe duhet të gjendet mënyrë që mospajtimet tona për këtë çështje, të lihen anash”, i tha ambasadori Wordsworth së përditshmes beogradase "Veçernje Novosti".

Ai tha se “është e nevojshme që të fokusohemi në gjërat që mund ta përmirësojnë jetën e njerëzve në Kosovë”.

Stephen Wordsworth
Zoti Wordsworth tha se fillimi i bisedimeve Beograd – Prrishtinë nuk është kusht i fuqishëm për dërgimin e aplikimit të Serbisë për në Komisionin Evropian.

“Pas miratimit të rezolutës së përbashkët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shumica e ministrave të BE-së tash mendon se është koha që të bëhet hapi tjetër në rrugën e integrimit të Serbisë dhe pres që kjo të ndodhë shumë shpejt”, tha Wordsworth, duke shtuar se “po ashtu besojmë se do të ishte e dobishme që dialogu të fillojë sa më shpejt”.

Ai tha se nuk është kusht i Brukselit që fillimin e dialogut, në mënyrë simbolike, ta shënojë mbledhja ndërmjet presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
XS
SM
MD
LG