Ndërlidhjet

Guardian: Ultimatum për Francën


Presidenti Nicolas Sarkozy

Presidenti Nicolas Sarkozy

"Guardian"

Autoritetet evropiane kanë paralajmëruar Francën se do të përballet me procedura disiplinore dhe gjyqësore, nëse standardi i BE-së për lirinë e lëvizjes nuk përfshihet në ligjin francez nga muaji i ardhshëm.

Të 27 komisionarët evropianë caktuan datën 15 tetor si afat të fundit që Franca të korrigjojë dështimin që pësoi për të respektuar ligjin evropian. Ky i fundit u mundëson të gjithë qytetarëve të Bashkimit Evropian lëvizje të lirë brenda Unionit.

“Franca nuk është duke zbatuar ligjin evropian ashtu si duhet”, tha eurokomisionarja për drejtësi, Viviane Reding. Këtë muaj, ajo shkaktoi një nga revoltat më të këqija të BE-së në vite, duke e quajtur trajtimin francez të emigrantëve romë “turp” dhe “të tmerrshëm”.

Vendimi i fundit e veçon Francën për censurë, ndonëse edhe disa anëtare të tjera të BE-së nuk e kanë konvertuar direktivën e vitit 2004 në ligjet e tyre kombëtare.

Ministri francez i migracionit, Eric Besson, tha para deputetëve:

“Ne të gjithë duhet të jemi të lumtur. Është një lajm i mirë për të gjithë”.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se nuk do të donte të shkonte “në çështje shumë të ndjeshme ligjore”. Ai tha se do që të shmangë një “rindezje” të presidentit Sarkozy. Por, zyrtarët e tij këmbëngulën se nuk ka kthim prapa.

Një zyrtar i lartë i BE-së tha: “Francezët kanë kohë deri më 15 tetor. Ata nuk do ta bëjnë kurrë deri atëherë. Do të ketë shkelje të procedurës”. Një gjë e tillë mund të sjellë Francën para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Që nga fundi i korrikut kur presidenti Sarkozy ka urdhëruar “sulmin” ndaj imigrantëve romë, mbi 1000 sosh janë dëbuar dhe mbi 100 kampe janë shkatërruar. Kjo politikë është dënuar ashpër nga Vatikani, Kombet e Bashkuara, Komisioni Evropian, grupet për të drejtat e njeriut, si dhe nga opozita franceze. (v.t.)
XS
SM
MD
LG