Ndërlidhjet

Drejt zgjedhjeve të parakohshme


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, nga partitë politike tashmë po shihen si alternativa e vetme pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu. Por, çështja mbetet se a do të jenë ato zgjedhje të jashtëzakonshme që do të organizoheshin brenda këtij viti, apo zgjedhje të parakohshme mbi bazë të një marrëveshjeje politike, që do të nënkuptonte organizimin e tyre në një afat prej 4 deri në 6 muaj.

Aktualisht, vetëm PDK-ja e Hashim Thaçit nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve gjatë këtij viti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, thotë se nëse është e domosdoshme, edhe mund të shkohet në zgjedhje të shpejta, me gjithë defektet që mund të paraqiten.

“Kjo ka lënë për të dëshiruar gjithmonë, pasi që në të gjitha zgjedhjet që kemi mbajtur, ka pasur defekte, të cilat ne i njohim. Por, nëse na imponohen, ne do t’i mbajmë ato zgjedhje me defektet që mund të na përsëriten”, thotë Buja.

Ripërtëritja e marrëveshjes së koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së duket të jetë e pamundshme edhe për faktin se PDK-ja, siç thotë Ramë Buja, nuk pajtohet që pasardhësi i Sejdiut në postin e presidentit të marrë mandatin 5-vjeçar, ndërkaq Kushtetuta nuk parasheh një mandat të përgjysmuar.

“Këtu kemi një defekt kushtetues, pasi Kushtetuta nuk e sqaron që presidenti ta ketë atë mandat 5-vjeçar. Kjo na defekton jo vetëm ne si Parti Demokratike, por të gjitha subjektet politike, për faktin se asnjëra nga to nuk është e gatshme ta pranojë një mandat 5-vjeçar, tani kur kanë kaluar gati 3 vjet”, thotë Buja.

Mirëpo, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në anën tjetër, nuk pajtohet me PDK-në kur është në pyetje organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se kjo parti do të pranojë vetëm zgjedhje të parakohshme që do të përgatiteshin mirë dhe atë në pranverën e vitit vijues.

“LDK-ja nuk përkrah kurrfarë procesi zgjedhor këtë vit, sepse një proces i tillë për ne do të ishte proces zgjedhor i improvizuar dhe me premisa - pse jo, do të mund të quhej edhe i manipuluar, për shkak të pamundësisë së përgatitjeve. Koha për përgatitjen e një procesi zgjedhor është minimale 6 muaj”, thekson Beqiri.

Situata e krijuar pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu dhe insistimi i PDK-së për zgjedhje brenda këtij viti, kanë nxitur disa paralajmërime në media se kryeministri Hashim Thaçi mund të japë dorëheqje shumë shpejt. Mirëpo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi hedh poshtë një mundësi të tillë.

“Them që është një gënjeshtër e kulluar. Ne po presim propozimin që do ta japë LDK-ja, pastaj do t’i shikojmë interesat e vendit, të institucioneve dhe do të veprojmë”, thotë Kuçi.

Të gjitha këto zhvillime nuk paraqesin krizë institucionale për shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith. Ai vlerëson se gjendja politike në Kosovë është stabile. Sipas tij, po vazhdojnë konsultimet ndërmjet forcave politike se si të ecet përpara pas dorëheqjes së Sejdiut.

“Dua ta theksoj se ne nuk jemi në asnjë formë në një gjendje të krizës institucionale”,
thotë Feith. Sipas tij, këto zhvillime i takojnë një procesi normal, që ndodh në shumë demokraci.

E shqetësuar me këto zhvillime, megjithatë, është edhe opozita. Përderisa Lidhja Demokratike e Dardanisë sot ka dalë publikisht me qëndrimin se nuk do ta mbështesë kandidaturën e re eventuale për president nga LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thërret spektrin politik të ulet dhe të darkordohet që zgjedhjet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se çdo nxitim me pretendimet që zgjedhjet të organizohen sivjet, nënkupton vjedhjen dhe jo marrjen e mandatit për të qeverisur vendin.

“Nëse shkohet në zgjedhje në këtë mënyrë, fare të papërgatitur, atëherë ato zgjedhje do të jenë të manipuluara dhe të vjedhura. Ne themi kështu për shkak se nëse ka vullnet politik, partitë politike duhet të merren vesh që t’i respektojnë provizionet kushtetuese dhe të shkojmë në zgjedhje në pranverë – zgjedhje të cilat do të jenë të përgatitura mirë”, shprehet Gjini.

Që nga marrja e postit të ushtruesit të detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e partive politike. Kushtetuta e obligon presidentin që, në bazë të një marrëveshjeje me partitë politike, të caktojë kohën e zgjedhjeve, ndonëse Krasniqi duhet të presë fillimisht partnerët e koalicionit, PDK-në dhe LDK-në, që brenda 3 muajve të paraqesin apo jo kandidaturën e tyre për president të Kosovës.

Lexoni edhe këtë:
Krasniqi: Zgjedhjet e parakohshme – përparësi
XS
SM
MD
LG