Ndërlidhjet

Ivanovski mohon përfshirjen në shërbimet sekrete


Trëndafil Ivanovski dhe Komisioni pë lustrim

Trëndafil Ivanovski dhe Komisioni pë lustrim


Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trëndafil Ivanovski, të enjten para gazetarëve ka theksuar se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga posti që drejton, duke i quajtur si të pavërteta të dhënat e djeshme të Komisionit për verifikimin e fakteve, se ai ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete.

“Në dosjen time janë bërë disa manipulime dhe gjatë periudhës së ardhshme do ta shqyrtoj se kush ka dorë në këto manipulime, arkivi shtetëror, Komisioni për lustrim apo organi 65 dhe 66 i UDB-së”
, ka theksuar të enjten kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ivanovski ka nënvizuar se njollosja e personalitetit të tij bëhet për qëllime të caktuara politike që të largohet nga funksioni si kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe e gjithë kjo, sipas tij, paraqet njollë të errët për sistemin e vendit.

Stojan Andov, inicues i Ligjit për lustrim, ka thënë se derisa vendimi i Komisionit për lustrim, të marrë epilog juridik, kryetari i Gjykatës Kushtetuese i mbetet të ushtrojë detyrën e tij.

“I mbetet gjyqit të konfirmojë ose të hedhë poshtë faktet e Komisionit për lustrim dhe vetëm nëse edhe gjyqi vërteton se Trëndafil Ivanovski ka qenë agjent i shërbimeve sekrete, atëherë ai duhet të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Në të kundërtën, Ivanovski do të shkarkohet nga detyra me votat e Parlamentit”
, ka sqaruar Andov, propozues i Ligjit për lustrim.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Bajram Pollozhani, duke komentuar përplasjet mes kreut të Qeverisë, Nikolla Gruevski, dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Trëndafill Ivanovski, lidhur me lustrimin, ka thënë se konfrontimi mes tyre vjen si pasojë e abrogimit nga ana e Kushtetueses të disa neneve të Ligjit për lustrim.

“Përplasjet e shpeshta midis titullarëve të pushtetit ekzekutiv duke i komentuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, lë përshtypje në opinion se kjo ka një prapavijë politike, duke njollosur personalitetet individuale në Gjykatën Kushtetuese, njëherësh edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”,
ka vlerësuar Pollozhani, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Pollozhanit, Qeveria është bartëse e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe, si të tilla, ajo duhet t’i zbatojë, pavarësisht se i pëlqejnë apo jo, duke marrë shembullin e Kosovës.

“Bie fjala, siç është Republika e Kosovës, e cila me përgjegjësi të madhe e respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e ndërtimit të vlerave të së drejtës, ndërkohë që në Maqedoni vazhdohet me avazet e vjetra, pra me njollosjen e bartësve të funksioneve nga njëri pushtet në tjetrin, duke shkaktuar erozion në sundimin e së drejtës dhe funksionimin e shtetit ligjor”.


“Gjithashtu, lihet dhe një konotacion negativ në kontekst të detyrimeve strategjike për vendin në procesin e integrimit euroatlantik”
, ka theksuar ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Pollozhani.

Nga ana tjetër, ish-gjykatësja për të drejtat e njeriut në Strasburg, Margarita Caca Nikollovska, ka thënë se çdo deklaratë e udhëheqësve politikë mund të merret si presion ndaj sistemit gjyqësor dhe më e mira, sipas saj, është që politikanët të qëndrojnë anash duke i lënë organet përkatëse ta kryejnë punën e tyre.

“Deklarimet publike të udhëheqësve politikë në njëfarë mënyre paraqesin presion të llojit të vet, veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për një materie të ndjeshme”,
është shprehur gjykatësja për të drejtat e njeriut në Strasburg, Nikollovska, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Nikolla Gruevski se Trëndafil Ivanovski, si kryetar i Gjykatës Kushtetuese duhet të përgjigjet për të kaluarën e tij, sepse në mënyrë plotësuese e varros kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese dhe me këtë rrëzon legjitimitetin e të gjitha vendimeve të deritashme të saj për abrogimin e disa ligjeve të miratuara nga Parlamenti.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere, ka porositur autoritetet shtetërore që të heqin dorë nga influentimi politik, ngase, siç është shprehur ai, mënyra se si realizohet lustrimi, me goditje publike personale duke nënvlerësuar sistemin gjyqësor, dëshmon interesin e ulët të një shteti për t’u integruar.
XS
SM
MD
LG