Ndërlidhjet

logo-print

Tekste që inkurajojnë konflikt ndëretnik


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Tekste mësimore që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, që flasin njëanshëm për historinë e Ballkanit dhe nuk promovojnë paqen dhe tolerancën, janë këto disa nga gjetjet e Komisionit të pavarur për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe në Kosovë. Ministria e Arsimit do ta marrë këtë raport si bazë për harmonizimin e teksteve mësimore me Kushtetutën dhe Planin e Ahtisarit.


Janë qytetarë të Kosovës, por për Kosovën mësojnë se është ‘pjesë e Serbisë’; mësojnë himnin serb, por jo atë kosovar; për shqiptarët mësojnë se kanë kryer 'gjenocid’ ndaj serbëve, por nuk mësojnë për konfliktin e ’99-ës; mësojnë poezi dhe këngë që përmbajnë gjuhë të urrejtjes.

Këto gjetje që bien ndesh jo vetëm me realitetin në terren, por edhe me Kushtetutën e Kosovës, sipas Komisionit të pavarur për rishikimin e kurrikulumit në shkollat serbe, u mësohen nxënësve serbë që nga klasa e parë e deri në përfundim të shkollës së mesme.

“Problemi më i madh i arsimimit në komunitetin serb në Kosovë është i lidhur me tekstet mësimore të historisë. Në këto tekste nuk ka asnjë shenjë të historisë së popullit shqiptar. Librat e historisë për të gjitha klasat e shkollës fillore janë në kundërshtim me parimet e barazisë etnike e fetare si dhe të tolerancës”.

“Librat e historisë janë me plot tekste, të cilat serbët dhe shqiptarët i paraqesin në pozitën e xhelatit dhe të viktimës, që direkt inkurajojnë konflikt ndëretnik”, tha Radivoje Mançiq, kryetar i Komisionit të pavarur.

Ai theksoi se në këto libra të historisë shkruhet se shqiptarët kanë kryer ‘gjenocid’ ndaj popullit serb, duke e bërë këtë me qëllim që t’i largojnë serbët nga Kosova. Shqiptarët përshkruhen si plaçkitës të kishave, ndërsa në të vetmin vend ku përmenden ilirët, ata quhen ‘grabitqarë’.

“Ky komision nuk i mbështet këto. Ne kemi rekomanduar që këto tekste të lihen anash, derisa nuk shkruhen të rejat. Komisioni konsideron se duhet shkruar libra të rinj, ku të gjitha kulturat dhe komunitetet do të paraqiteshin në mënyrë adekuate, në frymë të paqes, bashkëjetesës dhe së ardhmes evropiane të Ballkanit”, theksoi Mançiq në një konferencë për gazetarë, të organizuar nga Ministria e Arsimit.

Rekomandimet e Komisionit të pavarur për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe do të shërbejnë për Ministrinë e Arsimit si bazë për krijimin e një kurrikulumi për nxënësit serbë.

Por, deri në hartimin e këtij kurrikulumi, ministria ka vendosur që të shpërndajë udhëzime shtesë për shkollat serbe, në mënyrë që nxënësve t’u mësohet realiteti. Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, tha:

Për tekstet shkollore, mjetet mësimore dhe librat që përdoren në shkollat në gjuhën serbe në Kosovë, do të duhej MASHT-i të hartojë materiale tjera shtesë për lëndët që kanë të bëjnë me edukatën qytetare, duke ofruar një material, i cili shpjegon sistemin politik dhe Kushtetutën e Kosovës”.

“Së dyti, duhet t’u ofrojë shkollave serbe harta të Republikës së Kosovës. Parashihet që të ketë disa ndryshime në programin e gjuhës dhe letërsisë serbe. Parashihet, po ashtu, që në lëndën e muzikës të ofrohet himni i Republikës së Kosovës për të gjithë nxënësit që janë pjesë e shkollave në gjuhën serbe në Kosovë”
.

Vlerësime për raportin dha edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, nën mbikëqyrjen e të cilit edhe është formuar Komisioni i pavarur.

“Ata kanë hartuar një raport që tregon hapat pozitivë përpara. Një mënyrë praktike për të siguruar se çdo fëmijë në Kosovë mund t’i kuptojë të drejtat e tij që të marrë arsimimin në gjuhën e tij. Kurrikulumi në gjuhën serbe, që është pjesë e sistemit unik kosovar të arsimit, do të promovojë interesin dhe zhvillimin e komunitetit serb në Kosovë”.

“Duhet të shtoj se ky raport mbështet obligimet që dalin nga Kushtetuta dhe Plani i Ahtisarit që kërkon zhvillimin e kurrikulumit të plotë në gjuhën serbe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”,
tha Feith.

Në vitin shkollor 2010/11 Ministria e Arsimit planifikon shpërndarjen e materialeve shtesë, por nuk mund të bëjë më shumë në harmonizimin e teksteve me Kushtetutë të Kosovës apo Planit Ahtisari.

Mirëpo, Enver Hoxhaj, vlerësoi se raporti i Komisionit do të ndihmojë në tejkalimin e ndarjes dhe fragmentarizmit në sistemin kosovar të arsimit.

Në shkollat serbe në Kosovë mësohet me programe arsimore të Serbisë. Mësimdhënësit në këto shkolla marrin paga edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG