Ndërlidhjet

BE-ja vepron ligjërisht kundër Francës


Dëbimi i romëve nga Franca
Dëbimi i romëve nga Franca
Komisioni Evropian ka shtuar presionin mbi Francën lidhur me dëbimin e qytetarëve të Bashkimit Evropian që i përkasin komunitetit rom.

“Komisioni ka vendosur të mërkurën të hapë procedurat ligjore kundër Francës. Komisioni është mbikëqyrësi i Traktatit të Lisbonës dhe duhet të sigurojë që ligji evropian gjen zbatim në ligjet e vendeve anëtare”,
tha Vivian Reding, euro-komisionarja e Drejtësisë në Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian përmes një deklarate ka bërë të ditur se Franca ka dështuar të zbatojë të ashtuquajturën “Direktivë e Lëvizjes së Lirë” në mënyrë efikase dhe transparente.

Vendimi ka të bëjë me dëbimin nga Franca gjatë muajve gusht e shtator të mbi 1000 romëve nga Rumania e Bullgaria, të gjithë qytetarë të Bashkimit Evropian. Të gjithë banorët e vendeve të BE-së gëzojnë një mori të drejtash kur udhëtojnë në vendet e bllokut.

Qeverisë franceze i është dorëzuar një letër ku 15 tetori i është caktuar si afati kohor për t’i përshtatur ligjet kombëtare me ato evropiane. Vazhdimi i qëndrimit të njëjtë, moszbatimit të kërkesës së Brukselit, mund të çojë në një vërejtje të dytë.

Në rast se edhe vërejtja e dytë është pa rezultat, Komisioni Evropian mund ta ndëshkojë Francën me gjobë.

Zyrtarët evropianë e kanë bërë të qartë se dhe vende të tjera evropiane mund ta gjejnë veten në pozicion të ngjashëm me Francën nëse nuk marrin masa paraprake.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian do të krijojë një grup të posaçëm pune për të trajtuar problemin e 10-12 milionë romëve, që jetojnë brenda vendeve anëtare.

Burimet brenda politikës franceze flasin se një memorandum i qeverisë, ku theksohej shkatërrimi i kampeve rome në mënyrë specifike është tërhequr gjatë muajit shtator.

Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë kjo është konfirmuar dhe nga Pia Hansen, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

“Komisioni ka marrë garanci nga nivelet më të larta politike më 22 Shtator 2010, se masat e marra në verë, nuk kanë pasur si cak të godasin ndonjë grup të caktuar etnik”
, tha Hansen.

Presidenti i Komisionit Evropian Zhose Emanuel Barroso ka folur për “hijet e së shkuarës” duke pasur parasysh masat e Qeverisë franceze dhe Luftën e dytë Botërore. Komentet e zyrtarëve evropianë kanë provokuar reagime të ashpra nga presidenti francez Nikolla Sarkozi. (i.b)
XS
SM
MD
LG