Ndërlidhjet

Dodik: Bosnja nuk do të ekzistojë



“Bosnje Hercegovina ishte një gabim”, ka deklaruar udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik. Dodik ka shtuar se serbët në këtë vend duan të shkëputen, por në mënyrë paqësore. Komentet ai i ka bërë për të përditshmen Wall Street Journal, në një intervistë dhënë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 3 tetorit në Bosnje.

Dodik ka thënë se parlamentarët serbë në parlamentin federal në Sarajevë, që do të dalë nga zgjedhjet e së dielës, nuk do të jenë të interesuar në ndërtimin e Bosnjës, pasi kjo "nuk është politika jonë".
“15 vite nga sot nuk mendoj se Bosnja do të ekzistojë”, ka thënë Dodik. Sipas tij zgjidhja e problemeve në Bosnjë nuk mund të realizohet përmes përpjekjeve për shërim, por përmes ribërjes së kufijve.

“Një ditë të gjithë do ta shohin se Bosnja ka dështuar dhe kur çdokush ta ketë kuptuar një gjë të tillë nuk do të ketë nevojë për dhunë, pasi do të arrihet një marrëveshje”, përfundon Dodik për WSJ.
XS
SM
MD
LG