Ndërlidhjet

Ficxherald: Sundimi i ligjit, sfidë


Admirali Mark Ficxherald (Pamje nga arkivi)

Admirali Mark Ficxherald (Pamje nga arkivi)

Përfaqësues të KFOR-it shprehën gatishmërinë për të rritur edhe më tej praninë e trupave të tyre në pjesën veriore të Kosovës në rast të paraqitjes së nevojës për një hap të tillë. Pavarësisht vlerësimit të tij për një situatë përgjithësisht të qetë në Kosovë, komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, tha se sundimi i ligjit, problemet politike dhe ato ekonomike, vazhdojnë të jenë sfidat kryesore për Kosovën. Këto komente Fitzxherald i bëri gjatë qëndrimit të tij në veri të Mitrovicës - vizitë kjo, e cila vjen para pensionimit të admiralit amerikan.



Përfaqësues të misionit të NATO-s e cilësuan si të qetë dhe të qëndrueshme situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, por theksuan se për pjesën veriore të Kosovës mbesin ende sfida, të cilat duhet të trajtohen.

Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, tha se kërkohet ende punë për t’u ballafaquar me problemet politike, ato të ekonomisë dhe çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

“Ka ende disa sfida, si sfida e rivendosjes së sundimit të ligjit në veri. Ende ekzistojnë sfida në fushën politike dhe atë ekonomike. Andaj ka ende punë për të bërë”
, tha Ficxherald gjatë vizitës në veri të Mitrovicës ku u shoqërua nga komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler.

Ky i fundit tha se pas incidenteve të javëve të shkuara në pjesën veriore të Kosovës, KFOR-i ka rritur numrin e trupave në atë pjesë të vendit dhe do të jetë i gatshëm për të dërguar trupa shtesë në rast nevoje.

“Natyrisht se do ta rrisim praninë në veri, së bashku me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in ashtu siç kërkohet”
, u shpreh komandanti i KFOR-it.

Një varg incidentesh të ndryshme shënuan javën e kaluar në Mitrovicë; të martën mbrëma si pasojë e një shpërthimi që kishte për cak antenën e një operatori të telefonisë mobile kosovare, ishte lënduar një person, ndërsa të enjten mbrëma i ishte vënë zjarri një kioske, e cila parashihej të vendosej në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës, si pjesë e një projekti të administratës së Kombeve të Bashkuara për largimin e kioskave nga rrugët e qytetit.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se incidentet në pjesën veriore të Kosovës kanë kryesisht karakter ndëretnik apo politik.

“Zakonisht, qëllimet e grupeve të ndryshme, qofshin të strukturuara apo të pastrukturuara në veri të Kosovës, i japin karakter ndëretnik me qëllim të ngritjes apo, thjesht, mbajtjes në vazhdimësi në tension të situatës, çfarë edhe është paraqitur kohëve të fundit”
, tha Hoti.

Mirëpo, Ficxherald theksoi se përgjegjësinë kryesore për rivendosjen e sundimit të ligjit në veri e kanë institucionet vendore dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Ficxherald nënvizoi se trupat e KFOR-it do të angazhohen në kuadër të mandatit të tyre.

“Misioni ynë nuk është që të krijojmë sundimin e ligjit, për këtë arsye këtu janë Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, por KFOR-i do të vazhdojë të garantojë sigurinë, gjë që përfshin patrullimin dhe bashkëpunimin me komunat këtu”.

“Natyrisht se shpresojmë se do të ndodhë rivendosja e sundimit të ligjit këtu, por kjo nuk hyn kuadër të mandatit tonë. Mandati ynë është rezoluta 12 44
”, theksoi Ficxherald.

Admirali amerikan Ficxherald, i cili ka qenë i angazhuar më shumë se 3 vjet me operacionet e KFOR-it duke përcjellë punën e katër komandantëve të kësaj trupe, do të dalë në pension pas pak ditësh.

Ficxherald foli për disa arritje që janë bërë nga misioni i NATO-s në Kosovë në fushën e sigurisë, në bartjen e kompetencave te Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, por tha se çështjet si demarkacioni në mes të Kosovës e Serbisë, duhet të zgjidhen përmes dialogut ndërmjet palëve.

“Mendoj se duhet të zhvillohet dialogu në mes të Prishtinës e Beogradit, për të vendosur se cila do të jetë kjo vijë kufitare administrative”
, u shpreh Ficxherald.

Në Kosovë vazhdojnë të jenë të angazhuara 10 mijë trupa në kuadër KFOR-it, ndërsa reduktimet e mëtejmë do të varen nga vendimi i Komitetit të NATO-s, varësisht vlerësimeve politike dhe të sigurisë.

Aktualisht, pjesa më e madhe e trupave të KFOR-it janë të stacionuara në pjesën veriore të Kosovës.

Lexoni edhe këtë:
Byhler: Veriu kërkon zgjidhje politike
XS
SM
MD
LG